Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se me rastin e shënimit të 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së parë Botërore që u mbajtë në Paris, shtetit të Kosovës si asnjëherë më parë ju është konfirmuar një mbështetje e madhe dhe fuqishme nga vendet më të fuqishme të botës.
Thaçi ka thënë se pas takimeve që kishte me presidentin amerikan Trump, atë rus Putin, presidentin francez Macron, kancelaren gjermane Merkel dhe presidentin turk Erdogan, ju është konfirmuar një mbështetje e plotë për arritjen e një marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative mes Kosovës dhe Serbisë, njofton gazetametro.net.
Presidenti i vendit ka shkruar se tani është koha që të shfrytëzohet për integrimin e Kosovës në BE, NATO dhe OKB.
Postimi i plotë i Thaçit:
Shënimi i 100-vjetorit të përfundimit të Luftës I Botërore, respektivisht Ditës së Armëpushimit në Paris, ishte po ashtu një mundësi që të takoj dhe bisedoj me liderët botërorë. Në takimet që kam pasur me presidetnin francez, Emmanuel Macron, presidentin amerikan, Donald Trump, kancelaren gjermane, Angela Merkel, presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, si dhe presidentin rus, Vladimir Putin, më është konfirmuar mbështetja e plotë për arritjen e një marrëveshjeje paqësore gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kosova asnjëherë në historinë e saj nuk ka pasur mbështetje më të madhe dhe më të fuqishme të mbarë botës për tejkalimin, njëherë e përgjithmonë, të konfliktit shekullor në mes të Kosovës dhe Serbisë. Tani është koha që të shfrytëzojmë këtë mbështetje për të jetësuar integrimin e Kosovës në BE, NATO dhe OKB. /gazetametro.net