Loading…

Thaçi nga ceremonia e 11-vjetorit të kushtetutës kërkon të mos shkelet kushtetuta e Republikës

  • 08/04/2019 | 19:13

Thaçi nga ceremonia e 11-vjetorit të kushtetutës kërkon të mos shkelet kushtetuta e Republikës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimin të 11-të vjetorit të Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, transmeton Gazeta Metro.

Ai ka thënë se mbi bazën e kësaj Kushtetute, qytetarët janë të vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës, si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i gjithë qytetarëve të saj.

“Kushtetuta e Kosovës përcakton qartë bazamentin dhe kornizat e shtetndërtimit dhe funksionimit të tij”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka theksuar se edhe sot Kosova zotohet për forcimin e shoqërisë multietnike, derisa para pak muajsh institucionet tona implementuan edhe një obligim tjetër kushtetues dhe ligjor, themelimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Ushtri multietnike dhe mbi bazën e standardeve të NATO-s, e cila në të ardhmen e afërt do të funksionojë jo në mënyrë parciale, por në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

I pari i vendit ka ftuar Qeverinë e Kosovës që pa hezitim dhe pa mëdyshje, të respektojë ligjshmërinë në çdo sferë të jetës institucionale, në gjithë Kosovën.

“Të mos ndodh kompromisi me ligjin në emër të përkatësisë etnike apo lojalitetit politik ditor. Respektimi i Kushtetutës merr kuptim të plotë vetëm kur sovraniteti dhe ligjshmëria respektohet në gjithë territorin e Kosovës. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Vetëm ata që e respektojnë ligjin, mund të jenë në institucionet e Kosovës”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka shtuar se Kosova ka shënuar progres edhe në rrafshin ndërkombëtar.

“Ka ndërtuar fqinjësi të mirë dhe ka përmbyllur demarkacionin me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Raporti Kosovë – Serbi mbetet shpresë për një të ardhme më të mirë”, ka theksuar ai.

Sipas presidentit Thaçi, kjo mund të arrihet atëherë kur bashkësia ndërkombëtare do të jetë unike në raport me Kosovën, Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor, e jo të flas më shumë zëra dhe interesa të ndryshme taktike, që sfidojnë interesin strategjik për të ardhëm euroatlantike të Kosovës dhe më gjerë.

“Si në të kaluarën, edhe sot bashkësia ndërkombëtare mund të kontribuojë në unifikimin politik dhe institucional të Kosovës. Askush të mos pres të ndodhë e kundërta”, ka thënë ai. /gazetametro.net

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë