Ka filluar takimi i presidentit Hashim Thaçi me përfaqësues të partive politike, takim ky i thirrur për të biseduar për reformën zgjedhore.
Ashtu siç edhe kanë deklaruar dje ftesën e presidentin e kanë bojkotuar tri partitë opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma.
Ftesës së Thaçit iu ka përgjigjur kryeministri i Kosovës dhe njëherësh kryetari i LDK-së Isa Mustafa, nga PDK, Enver Hoxhaj, kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, kryetari i Partisë së Drejtësisë Ferid Agani, Avni Klinaku nga Lëvizja për Bashkim, përfaqësuesi i AKR-së.
Me këtë rast presidenti Thaçi tha se ky takim është thirrur vetëm për të biseduar për reformën zgjedhore dhe ky është një takim konsutaltiv mes partive politike, transmeton Kosovapress.
Presidenti tha se tani duhet të ndodhë një fillim i ri që të ndodhin disa përmirësime të deformimeve elektorale.
Mënyra e zgjedhjes së presidentit, rritja e zonave zgjedhore, listat e mbyllura apo të hapura, ndryshimi i pragut zgjedhor si dhe pastrimi i listave të votuesve.
“Ka mangësi te sistemit të tanishëm. Kalimi nga një zonë në shumë zona kërkon amendamentin e Kushtetutës. Por mendoj se Kosova duhet të vazhdoj me një sistem me lista të hapura. Sa i përket ndryshimit të pragut zgjedhor është diskutuar për dy mundësi që të mbetet 5 për qind dhe e dyta që të ndryshojë në përputhshmëri me vullnetin e partive politike”, tha Thaçi.
Gjatë fjalës së tij Thaci tha se është diskutuar që të zvogëlohet numri i deputetëve në Kuvend, nga 120 sa janë tani të bjerë në 100.