Loading…

Thaçi i dërgon letër NATO’s për ushtrinë

  • 14/03/2017 | 09:30

Thaçi i dërgon letër NATO’s për ushtrinë

Pas reagimit të NATO’s ndaj projektligjit të propozuar nga Hashim Thaçi, vie edhe letra e këtij të fundit drejtuar NATO’s.


Në prag të Këshillit Veriatlantik të NATO’s, Thaçi u ka sqaruar NATO’s mënyrat e mundshme të shndërrimit të FSK’së, duke potencuar se opsioni për ndërrimet kushtetuese bëhet i pamundur për shkak të qëndrimit kundër të deputetëve serbë, vota e të cilëve nevojitet për t’i kaluar këto ndryshime.

“Në rrethanat e tanishme politike, ndërmarrja e kësaj qasjeje është praktikisht e pamundur për shkak se amendamentet kushtetuese kërkojnë votën e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Përveç dy të tretave të të gjithë deputetëve, ndryshimet kushtetuese kërkojnë edhe dy të tretat e të gjithë deputetëve që përfaqësojnë komunitetet e tjera që jetojnë në Kosovë, duke përfshirë edhe serbët e Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

E siç u ka thënë në letër, Thaçi u ka sqaruar NATO’s se mënyra e vetme që sipas tij nuk është e njëanshme, është ndryshimi i misionit të FSK’së me anë të projektligjit. Për këtë, siç edhe ka treguar Thaçi, evitohen ndryshimet kushtetuese.

“Sipas këtij opsioni, nuk ka nevojë për të ndryshuar emrin ekzistues të FSK-së, nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese. Si rrjedhojë, kjo qasje nuk kërkon votën e dy të tretave të të gjithë deputetëve dhe gjithashtu nuk kërkon votën e dy të tretave të deputetëve që përfaqësojnë komunitetet joshqiptare që jetojnë në Kosovë, përfshirë edhe serbët e Kosovës. Legjislacioni mund të miratohet me një shumicë të thjeshtë të votave të të gjithë deputetëve”, ka shkruar Thaçi në letrën drejtuar NATO’s.

Më pas, presidenti kosovar u ka bërë thirrje vendeve të NATO’s që ta përkrahin shndërrimin e FSK’së pasi, siç thotë ai, kjo forcë është bërë bashkërisht me ta.

“Në vend të kësaj, bëj thirrje për të gjithë ju për ta mbështetur këtë proces dhe për të forcuar bashkëpunimin me FSK-në, sepse ne kemi ndërtuar këtë forcë të sigurisë bashkërisht për kaq shumë vite”, ka deklaruar Thaçi.

Më tutje, i pari i vendit është shprehur i gëzuar që mospajtime ekzistojnë vetëm në mënyrën, por jo në qëllimin përfundimtar të shndërrimit të FSK’së.

“Shpreh gëzimin tim për faktin se askush nga partnerët tanë strategjikë, përfshirë edhe NATO-n, nuk e vë në pikëpyetje të drejtën tonë sovrane për të vepruar në këtë frymë. Dallimi i vetëm nuk ka të bëjë me qëllimin përfundimtar të transformimit të FSK-së, por me qasjen apo opsionin e zgjedhur për ta arritur këtë.  Duke pasur këtë parasysh, tashmë kam deklaruar publikisht se ne jemi të gatshëm për ta bërë këtë transformim nëpërmjet opsionit 1, nëse kushtet përmbushen shpejt. Fatkeqësisht, faktet dhe qëndrimi i deputetëve serbë të Kosovës mbeten të pandryshuara derisa ata vazhdojnë ta kundërshtojnë transformimin e FSK-së në çfarëdo forme”, ka potencuar Thaçi.

Ndërkohë, Hashim Thaçi ditë më parë ka proceduar në Kuvend projektligjin që ndryshon misionin e FSK’së, e i cili projektligj tani ndodhet në Qeveri për mendim.

Ndryshe, nisma e Thaçit ishte kundërshtuar nga NATO dhe Ambasada e Amerikës, me ç’rast ata nuk ishin pajtuar me këtë nismë që, sipas tyre, ishte e njëanshme./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë