Loading…

Thaçi: FSK është gati

  • 25/11/2016 | 15:09

Thaçi: FSK është gati

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) pjesëtarëve të kësaj force dhe tërë qytetarëve të Kosovës.

Presidenti theksoi se “Forca e Sigurisë së Kosovës” është sot një forcë profesionale, multi-etnike, me përfaqësim të duhur gjinor, sukseset e së cilës kanë tejkaluar kufijtë e Kosovës.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është rritur në një forcë të standardeve më të larta ndërkombëtare, duke bashkëpunuar ngushtë me NATO-n dhe ushtritë e vendeve tona mike, nga SHBA-ja e deri te Evropa”, u shpreh presidenti Thaçi.

Gjithashtu ai tha se njësitet e FSK-së morën medaljen e artë në manovrat në Britani të Madhe, kadetët e saj trajnohen dhe dallohen për suksese në akademitë më prestigjioze ushtarake në botë, thuhet në njoftimin për media nga Zyra e Presidentit.

“Trupat e kësaj force ndihmojnë në aksione të kërkimit-shpëtimit në rajon e më gjerë. Këta janë krenaria jonë, besimi ynë në të ardhmen tonë të sigurt, në paqe e stabilitet”, ka shtuar Thaçi.

Kreu i vendit gjithashtu konfirmoi se e ardhmja e FSK-së është në zhvillimin e saj në ushtri të Kosovës.

“Forca e Sigurisë së Kosovës tashmë është gati që të shndërrohet në Forcat e Armatosura të Kosovës. Do të jetë kjo një forcë e standardeve më të larta të NATO-s, profesionale, me përfshirje të gjerë të të gjitha komuniteteve dhe gjinive, që do të angazhohet për paqe dhe stabilitet në Kosovë, rajon dhe kudo në botë”, përfundoi presidenti Thaçi./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë