Loading…

Thaçi e Mustafa fajtorë pse po vjen treni në Kosovë

  • 14/01/2017 | 16:39

Thaçi e Mustafa fajtorë pse po vjen treni në Kosovë

Treni i linjës Beograd-Prishtinë, i cili cenon tutje sovranitetin e Kosovës, është produkt i pastër i negociatave pa parime e pa kushte të shtetit tonë me Serbinë. Dhe sikurse për koncesione të tjera, përgjegjësit kryesor edhe për këtë iniciativë të Serbisë brenda Kosovës janë Hashim Thaçi, Edita Tahiri dhe Isa Mustafa.


Kështu ka thënë Lëvizja Vetëvendosje përmes një reagimi dërguar mediave, ndërsa ka shtuar se ky tren që po qarkullon për herë të parë në relacionin Beograd-Mitrovicë që nga viti 1999, është përplot me motive të trashëgimisë kulturore e fetare serbe në Kosovë dhe me thënie që konsiderojnë Kosovën si pjesë të Serbisë.

Dhe kjo, sipas Vetëvendosjes, është qartas mesazhi i Serbisë që e do Kosovën si në vitin 1999.

“E kundruall gjithë kësaj, institucionet tona që detyroheshin nga Lista Srpska që të mbulonin muralet me simbole kombëtare në Kuvendin e Kosovës, kanë zgjedhur të mos veprojnë dhe të viktimizohen. Përballë këtij projekti famëkeq, negociatorët deklarojnë se treni është ilegal, se nuk janë marrë vesh për të në negociata, dhe kërkojnë që ai të ndalet nga Bashkimi Evropian. Ndonëse, në vazhdimësi të njëjtit negociatorë janë deklaruar për suksese të njëpasnjëshme të Kosovës në procesin negociator me Serbinë”, thotë më tej Vetëvendosje.

Ky subjekt politik thotë se Qeveria e Kosovës është vënë në shërbim të Serbisë.

“Nënshtrimi i vazhdueshëm ndaj Serbisë përmes negociatave me të, dhe nënshtimi ndaj degëzimit të saj në Kosovë, Listës Srpska, është garancë edhe për projekte të tjera që do ta minimizojnë shtetësinë e Kosovës. Prandaj, që të ruhet sovraniteti i Republikës së Kosovës duhet që të mos lejohet Serbia brenda saj. Dhe që të ndalet Serbia, është e domosdoshme që të ndërpritet procesi negociator pa parime e pa kushte më të, gjë të cilën nuk e bën dot qeveria aktuale e Kosovës, e cila funksionon pa asnjë parim dhe e kushtëzuar nga shteti serb”, ka përfunduar reagimi i Vetëvendosjes.

Gjatë ditës së sotme është nisur nga Beogradi treni i linjës Beograd – Mitrovicë e Veriut, tren i cili nga institucionet e Kosovës është cilësuar si “ilegal”, mirëpo ende nuk janë ndërmarr masa për të ndaluar kalimin e tij në Kosovë. Treni pritet të arrijë në Mitrovicë pas orës 19:30.

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë