Loading…

Thaçi do të pritet në Shtëpinë e Bardhë nga Biden

  • 09/01/2017 | 12:09

Thaçi do të pritet në Shtëpinë e Bardhë nga Biden

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka filluar vizitën e lartë zyrtare në SHBA, në kuadër të së cilës do të takojë zyrtarë të lartë të Administratës amerikane, senatorë, kongresmenë dhe udhëheqës të “think-tankeve” dhe personalitete që kanë luajtur rol apo që do të luajnë rol në zhvillimet në Uashington në raport me Kosovën dhe me Ballkanin.


Në Shtëpinë e Bardhë, presidentin Thaçi do ta presë zëvendëskryetari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Ndërsa, në Senatin e SHBA-së, presidenti Thaçi do të ketë takime të ndara me senatorë të rëndësishëm për zhvillimet në Evropë dhe në rajonin tonë. Takimi i parë është me senatorin Bob Corker, kryesues i Komisionit për Punë të Jashtme në Senatin amerikan.

Pastaj me senatoren Joni Ernst, republikane nga Iowa, veterane e ushtrisë amerikane e cila ka vizituar Kosovën dhe është zë përkrahës për Kosovën, veçanërisht për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Takimi tjetër në Senat është me senatorin John McCain, gjithashtu veteran i ushtrisë, por edhe i politikës në SHBA, si dhe takimi me senatorin Jim DeMint, ndër figurat më të spikatura të Partisë Republikane dhe kryesues i “The Heritage Foundation”- think-tankut më me ndikim në formimin e ekipit tranzitor të presidentit të zgjedhur, Donald Trump.

Në Kongresin Amerikan, presidenti Thaçi do të takojë kongresmenin Eliot Engel dhe kongresmenin Michael Turner, i cili është edhe kryetar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, transmeton gazetametro.net

Ndër takimet të tjera të rëndësishme është edhe ai me Bob Doll, ish-senator dhe një ndër zërat më të fuqishëm për Kosovën në Uashington, i afërt edhe me ekipin e presidentit të zgjedhur, Trump.

Ndër takimet kryesore me përfaqësues të think-tankeve me ndikim në politikën e Shteteve të Bashkuara, është takimi me Strobe Talbott, ish-zëvendëssekretar i Shtetit, ekspert i Politikës së Jashtme amerikane që tani vepron si president i “Brookings Institute”; me Morton Abramowitz dhe JimHooper, që kanë luajtur rol të rëndësishëm në politikën ndërkombëtare në raport me Kosovën, si dhe takimi me Frederick Kempe dhe me Damon Wilson nga “AtlanticCouncil”.

Në të gjitha këto takime, presidenti Thaçi do të diskutojë vazhdimin e bashkëpunimit të Kosovës me SHBA-në dhe thellimin e tij.

“Vizita ime dhe pritja që më bëhet në Uashington është konfirmim i miqësisë speciale dhe të përhershme që kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është shprehur presidenti Thaçi në fillim të vizitës së tij në Uashington.

“Me ndryshimet në botë, miqësia jonë me SHBA-në- raporti ynë special, është vital për të ardhmen e Kosovës, për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”, ka përfunduar presidenti Hashim Thaçi. /gazetametro.net.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë