Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Kuvendi i Kosovës është përgjegjës për izolimin e qytetarëve nga pamundësia për të lëvizur lirshëm nëpër vendet e BE’së.
Ai është shprehur se demarkacioni është kushti i vetëm që ka mbetur për t`u përmbushur në mënyrë që Kosovës t`i jepet drita e gjelbër për liberalizimin e vizave.
Thaçi ka thënë se duhet të ketë vendosmëri të të gjitha grupeve parlamentare për votim të demarkacionit dhe se askush nuk guxon të mendojë se mund të fitojë vota me anë të kësaj marrëveshje.
“Duhet të ketë një komunikim të grupeve parlamentare që të vendoset për të votuar pro demarkacionit. Asnjë argument nuk është për të votuar kundër. Tani po ndodhë edhe matja e territorit nga ekspertët më të lartë. Çdo zhagitje që del nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, është pengesë ose e egove personale, ose interesave të ngushta politike apo elektorale. Mos të mendojë dikush se mund të fitojë vota me anë të demarkacionit”, ka thënë ai, shkruan Indeksonline.
Sipas Thaçit, Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret, përfshirë edhe luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe se kërkohet vetëm votimi i demarkacionit në Kuvend, që Kosovës t`i liberalizohen vizat. Duke folur për rtv21, Thaçi ka thënë se nëse nuk votohet demarkacioni, çështja e vizave do të shtyhet për periudhë të pacaktuar kohore.
“Nëse shtyhet ky votim ose dështon, atëherë shtyrja është e pakufishme, a është 1 vjeçare, 2 apo 3, pa u kryer marrëveshja nuk ka liberalizim të vizave”, ka thënë ai.