Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim ish-shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë në periudhën 1999-2001, Daan Everts.
Me këtë rast, presidenti Thaçi ka dekoruar atë me Medaljen e Meritave për kontributin e tij në ndërtimin e institucioneve demokratike, në avancimin e të drejtave të njeriut, si dhe në krijimin e mirëbesimit ndërmjet komuniteteve në Kosovë.
Presidenti Thaçi e ka falënderuar ambasadorin Everts për punën e tij të shkëlqyer që e ka bërë për vite të tëra në periudhën e pasluftës në Kosovë.
“Ai ka bërë një punë të shkëlqyeshme në fillimin e demokracisë në Kosovë, në fillimin e ndërtimit të institucioneve demokratike, të partive politike, të organizimit të zgjedhjeve të lira, lokale dhe të përgjithshme, të parat në historinë e Kosovës në vitin 2000-2001”, ka shtuar ai.
Presidenti ka thënë se ambasadori Everts, si shef i OSBE-së, ka bërë punë të madhe edhe në integrimin e të gjitha komuniteteve në shoqëri dhe në institucionet e Kosovës.
“Falë këtij angazhimi kam vendosur si president i Republikës së Kosovës që të ndaj çmimin e meritave presidenciale për ambasadorin Daan Everts, për atë rol të tij në ndërtimin e paqes, demokracisë në Kosovë”, ka theksuar Thaçi.