Temperaturat e larta pritet të sjellin nesër masa të veçanta në qarkullimin rrugor. Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se automjetet që transportojnë mallra dhe kanë peshë mbi 20 tonë nuk do të mund të qarkullojnë në autostrada gjatë një pjese të ditës, transmeton Gazeta Metro.
Ndalimi i përkohshëm do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30. Masa është marrë në bazë të parashikimeve për temperaturat e larta gjatë ditës së nesërme.
“Bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave për ditën e nesërme, do të zbatohet kufizimi i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë”, thuhet në njoftim.
Ky kufizim vlen vetëm për autostradat. Në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, mjetet e rënda do të mund të qarkullojnë normalisht.
Nga masa nuk preken automjetet që përdoren nga institucionet e sigurisë, policia, shërbimet emergjente dhe institucionet shëndetësore. MIT ka kërkuar nga kompanitë e transportit dhe drejtuesit e mjeteve që ta marrin parasysh orarin e kufizimit gjatë planifikimit të udhëtimeve./gazetametro.net