Një person ka mbetur i lënduar si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit në rrugën “Dëshmorët e Hereqit” në Gjakovë, shkruan Gazeta Metro.
Rasti është konfirmuar për Gazeta Metro nga zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, e cila bëri të ditur se personi i plagosur është dërguar për trajtim mjekësor.
“Rreth orës 16:10, në rrugën “Dëshmorët e Hereqit” në Gjakovë, është raportuar një rast i plagosjes me armë zjarri”, deklaroi Krasniqi për Metro.
Pas raportimit, njësitë përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur punën për mbledhjen e informacioneve dhe sqarimin e rrethanave që çuan deri te incidenti.
“Njësitë relevante policore ndodhen në vendngjarje dhe janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për trajtimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në konfirmim./gazetametro.net