Loading…

Të gjitha vendimet që u morën në mbledhjen e Qeverisë

  • 23/02/2022 | 15:04

Të gjitha vendimet që u morën në mbledhjen e Qeverisë

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale, atë për Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe projektligjin për Shërbimin Sprovues të Kosovës. Sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në këtë mënyrë janë adresuar disa prej çështjeve që kanë qenë në vazhdimësi problem për ministrinë, Shërbimin Korrektues dhe disa prej kërkesave nga vet të burgosurit.


Ekzekutivi gjithashtu ka proceduar në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare.

Për këtë, Haxhiu ka thënë se ka për qëllim edhe eliminimin procedurave burokratike që kanë qenë pengesë për qytetarët në të dy anët e kufirit.

“Kjo marrëveshje garanton shtetasve të dyja palëve mbrojtje të njëjtë juridike dhe qasje të lirë pranë gjykatave, po ashtu përjashton dokumentet nga legalizimi i tyre nëse ato janë legalizuar ta zëmë në Kosovë nuk kanë nevojë të legalizohen në Shqipëri, po ashtu ndihma juridike dhe lirimi nga pagesa e shpenzimeve gjyqësore”, ka thënë Haxhiu.

Ndërsa në projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale, nga qeveria është thënë se janë trajtuar lirimi i parakohshëm, lirimi me kusht, pezullimi i ekzekutimit të dënimit, paneli për lirim me kusht, trajtimi shëndetësor si dhe është bërë përpjekje për të trajtuar dhe adresuar tema të tjera me rëndësi të veçantë.

“Aktualisht Ekzekutimi i Sanksioneve Penale, Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Shërbimi Sprovues i Kosovës rregullohen me një ligj të veçantë atë për ekzekutimin e sanksioneve penale dhe kjo ka paraqitur pengesa të vazhdueshme në implementim, dhe me qëllim të fuqizimit të Shërbimit Sprovues të Kosovës por edhe atij korrektues, i kemi hartuar draftet e veçanta që rregullojnë statusin e veçantë të tyre, pra që i fuqizojnë në radhë të parë ato por edhe stafin që punojnë në këto institucione të rëndësishme”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka thënë se përmes projektligjeve kanë adresuar edhe disa prej çështjeve që sipas saj kanë qenë problem për ministrinë, Shërbimin Korrektues dhe të burgosurit.

“Është paraparë përshkallëzimi i lirimit të mëhershëm të dënimit, do të thotë deri në tre, gjashtë apo nëntë muaj, sepse aktualisht kjo e drejtë mund të bëhet vetëm për tre muaj pavarësisht lartësisë së dënimit. Po ashtu është paraparë zgjerimi i pezullimit të dënimit edhe për rastet e sëmundjeve të pashërueshme ku i burgosuri mund të qëndrojë në shtëpi apo edhe në spital e gjithashtu janë rikthyer ditët e pushimit vjetor për personat e dënuar të cilët janë të angazhuar në punë nga shtatë sa i kanë aktualisht në 14”, ka thënë ajo.

Në mbledhjen e qeverisë është miratuar edhe propozimi i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për të ndarë mjete buxhetore në shumën prej 3.5 milionë euro për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike për pesë masa të cilat përfshijnë rikthimin në punë të personave që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë, mbështetja e të punësuarve të formalizuar, mbështetjen punësimit të grave, Trajnimi dhe punësimi në TI dhe Mbështetja për familjet që kanë humbur kryefamiljarin.

Qeveria po ashtu ka ndarë 100 mijë euro për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për zbatim të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për mbështetje të kulturës dhe sportit.

Ndërsa, me vendim të veçantë është autorizuar Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve që të aprovojë transferet nga nënprogrami i Shpenzimeve të Paparashikuara për shumat individuale të kërkuara deri në vlerën prej 40 mijë euro.

Gjithashtu ekzekutivi ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësimet për interes publik të pronave të paluajtshme private, të cilat preken nga ndërtimi i “Shiritit për Rreshtim” për hyrje të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, në zonën Kadastrale të Komunës së Prishtinës.

Në mbledhjen e qeverisë është miratuar edhe vendimi për ndarjen e mjeteve për pagesën e autorëve të teksteve të lëndëve nacionale në gjuhën turke dhe boshnjake ku vlera e ndarë është 78 mijë euro.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për themelimin e Grupit Punues Ndërinstitucional për rishikimin e Planit të Reagimit Kombëtar të Republikës së Kosovës.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë