Pas arrestimit të kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademit për ‘Keqpërdorim të besimit’ dhe ‘Shmangie nga tatimi’ licencimi i FFK’së nga MKRS është vështirësuar edhe më shumë dhe i pamundur që të ndodhë para datës 31.03.2023, shkruan Gazeta Metro.
Përfaqësuesit e klubeve që ishin në mbështetje të Agim Ademit dhe që shpërfillën rekomandimet e MKRS për licencim, duket se tani e kanë kuptuar se kanë qenë të manipuluar dhe për pasojë kanë humbur shumë mjete financiare nga sponsorizimi.
Por në një takim që ishte planifikuar të mbahej në kafenenë ‘Marko Polo’ dhe që u zhvendos më pas në zyrat e FFK’së ku morën pjesë vetëm 14 klube u shfaq brenga e moslicencimit.
Pjesëmarrja e vogël e klubeve në takim vetëm 14 nga 59 delegatë duket se lidhet me të ftuarit e takimit Tahir Batatina e Avni Haxhiu.
Ditë më parë në media u publikua lajmi se në Francë janë arrestuar persona për kurdisje të ndeshjeve të Superligës së Kosovës dhe klubi që ishte i përfshirë ishte KF Llapi që udhëhiqet nga Batatina.
Gjithashtu KF Trepça e Avni Haxhiut vite më parë ishte përfshirë në kurdisje të ndeshjes me Fushë-Kosovën ku edhe kishte ngritje të aktakuzës për disa nga zyrtarët e Trepçës.
Këto dy klube kanë organizuar takim për moslicenim të FFK’së duke kërkuar llogari nga MKRS dhe jo nga FFK e cila nuk ka përfillur rekomandimet e MKRS për licencim.
Në vend se të kërkohet llogari nga sekretari i FFK’së, Taulant Hodaj apo Komiteti Ekzekutiv ata përpiqen të shantazhojnë MKRS për licencim ani pse FFK nuk ka plotësuar kushte për licencim dhe për pasojë kanë humbur miliona euro nga sponsorizimi. /gazetametro.net
Arrestimi i Agim Ademit dhe saga e licencimit të FFK’së: Klubet thonë se ‘janë futur në mal’