Përfaqësuesi i platformës qytetare “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli, foli për rëndësinë që, sipas tij, mund të ketë vendimi i 16 shtatorit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, përcjell Gazeta Metro.
Duke folur në Klan Kosova, Tasholli tha se data kur pritet shpallja e verdiktit mund të shënojë një moment të rëndësishëm për vendin, ndërsa theksoi se rezultati i procesit mund të ketë pasoja të mëdha për Kosovën dhe shqiptarët.
“Është shumë e rëndësishme se situata kurrë nuk ka qenë më e zëshme për Kosovën, dhe 16 shtatori mundet me u krahasu lirisht me 17 Shkurtit, shpalljen e pavarësisë, sepse ajo që e thashë, nëse verdikti është negativ, shteti qytetar më s’ka kuptim as si koncept as si praktikë, nëse është pozitiv është lajmi i mirë për shqiptarë kudo që ndodhin, se e merr UÇK-ja edhe legjitimitetin e fundit për pastërtinë e saj ashtu se qysh është bërë lufta dinjitetshëm, ashtu qysh nuk janë prek disa rregulla të luftës që janë shumë të rëndësishme… E kemi dëshmuar jo vetëm në luftën e fundit, e kemi dëshmuar në të gjitha luftërat. Ne kemi fol shpeshherë për marshin e Hasan Prishtinës në Shkup ose gjeneralëve të Dibrës kur i kanë zënë robër”, tha Tasholli.
Ai shtoi se, në vlerësimin e tij, lufta e UÇK-së kishte për qëllim mbrojtjen e familjeve, dinjitetit dhe lirisë së qytetarëve, duke e paraqitur 16 shtatorin si një datë me peshë të veçantë për të ardhmen e Kosovës./gazetametro.net