Loading…

Takimi i mundshëm Kurti-Vucic gjatë këtij muaji, flasin nga Bashkimi Europian

  • 05/07/2022 | 17:05

Takimi i mundshëm Kurti-Vucic gjatë këtij muaji, flasin nga Bashkimi Europian

Zyrtarët në Bashkimin Evropian kanë thënë se janë duke përgatitur një takim të ri në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por ende nuk kanë dhënë ndonjë datë se kur mund të ndodhë.


Së fundmi ka pasur deklarata se në takim i tillë mund të ndodh gjatë këtij muaji, mirëpo ende nuk ka asgjë zyrtare. Bashkimi Evropian në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se kur të kenë diçka konkrete do të njoftojnë me kohë.

“Si gjithmonë, ne do të njoftojmë çdo takim të ardhshëm të dialogut kur është e nevojshme”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Gazeta ka pyetur edhe në Zyrën e Kryeministrit, Albin Kurti se nëse tashmë është përmendur ndonjë datë konkrete rreth këtij takimi, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kemi pranuar përgjigje.

Së fundmi një takim të mundshëm Kurti-Vuçiq gjatë këtij muaji e përmendi presidentja Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Slloveni.

“Sa i përket dialogut me Serbinë, procesi po vazhdon, ka pasur takime në nivel të kryenegociatorëve dhe shumë shpejt, besoj gjatë korrikut – por, kjo varet nga lehtësuesit evropianë – ne do të kemi po ashtu një takim në nivel të liderëve. Por, procesi ka vazhduar, ka qenë konstant dhe shumë dinamik dhe po ashtu ka rezultuar në marrëveshjen për udhëzuesin në energji, që mendoj se është një arritje e madhe në proces. Po ashtu ka zhvillime pozitive në çështjen e të zhdukurve me dhunë që është një rrugë e rëndësishme drejt paqes dhe pajtimit në mbarë rajonin”, tha Osmani.

Një takim të mundshëm mes Kurtit e Vuçiqit gjatë këtij muaji e kishte përmendur edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, gjatë një vizite që pati në Kosovë gjatë muajit qershor.

“Jemi duke punuar që ti takojmë udhëheqësit kryesor të dialogut, kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, dhe do të doja që kjo të ndodh para pushimeve verore”, kishte deklaruar Lajçak.

Bartësit e dialogut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk janë takuar në Bruksel që nga korriku i vitit 2021.

Deri më tani, ata kanë zhvilluar vetëm dy takime dhe që të dyja nuk kanë sjellë ndonjë rezultat konkret.

Kujtojmë se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur qysh në vitin 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë