Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës është mbledhur për të diskutuar lidhur me situatën aktuale , pas vendimit të Qeverisë për t’i dhënë dritën e gjelbër nismës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Para nisjes së takimit, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, e ka vlerësuar pozitivisht përgjigjen e Qeverisë ndaj kërkesës për ndryshimin e ligjit.
“Është për t’u vlerësuar pozitivisht përgjigjja e Qeverisë dhe e të gjithëve. E kemi parë unitetin dhe reagimin e qytetarëve për ta kundërshtuar këtë padrejtësi historike”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka thënë se PDK ka kërkuar që i gjithë spektri politik të jetë i bashkuar në këtë çështje.
“Kemi kërkuar që edhe spektri politik të jetë i bashkuar. Secili veprim është i dobishëm”, u shpreh ai.
Tahiri tha se pret që të thirret Komisioni përkatës dhe që projektligji të procedohet për votim në Kuvend.
“Besoj se do të thirret Komisioni dhe ligji do të votohet. Për ne kryefjalë është që Ligji të votohet dhe të kalojë”, tha ai.
Sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit, Tahiri tha se duhet të ketë një konsensus politik për funksionalizimin e institucioneve.
“Patjetër që çështja e presidentit është që bashkërisht të ulemi dhe ta arrijmë konsensusin, të kemi institucione dhe institucionet ta kenë si prioritet kryesor mbështetjen e çlirimtarëve në Hagë”, përfundoi Tahiri.