Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ishte mjaft e prerë në komentet e saj pak para se të niste mbledhja e Këshillit Drejtues të partisë, transmeton Gazeta Metro.
Duke parë takimet e fundit të Albin Kurtit me LDK-në dhe lëvizjet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Çitaku tha se sjellja e kryeministrit nuk është aspak befasuese.
Sipas saj, i tërë stili i punës së Kurtit, që nga dita e parë në zyrë, ka pasur të bëjë me kontrollin dhe jo me bashkëpunimin me të tjerët.
Ajo theksoi se PDK-ja tashmë e ka të qartë se si operon ky pushtet, duke thënë se qëllimi kryesor i tyre mbetet nënshtrimi i të tjerëve.
“Thënë të drejtën, ajo çfarë kemi parë, dhe jo vetëm këto ditët e fundit, pas Aktgjykimit të GjK-së, por me vite të tëra, qysh se Kurti ësht zgjedhur kryeministër, ka qenë përpjekje për të sunduar e jo për të qeverisur. Një përpjekje për të nënshtruar, e jo për të bashkëpunuar. Dhe duke i njohur cilësitë e tij, është vështirë të paramendohet rezultat tjetër”, tha Çitaku për media./gazetametro.net