Gazetari dhe komentatori politik, Valon A. Syla, e ka komentuar veprimin skandaloz të shtetit serb, saktësisht nderimin e kriminelit serb Ratko Mlladiq dhe mbulimin e kufomës së tij me flamuj, si dhe përcjelljen me ushtarë, duke bërë thirrje për vetëdijesim të Gjykatës së Hagës, shkruan Gazeta Metro.
Syla u shpreh se “kasapi i Srebrenicës” po nderohet me ceremoni shtetërore nga Serbia, e cila, sipas tij, kurrë nuk u pastrua nga politika gjenocidale, ndërsa krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po gjykohen në Hagë.
Ai bëri thirrje që çdo politikan shqiptar t’ia bëjë me dije Hagës se në Serbi shteti po nderon kriminelët e luftës.
“Kasapi i Srebrenicës po nderohet me ceremoni shtetërore mortore. Këtë vend, që kurrë nuk u pastrua nga politika gjenocidale e pastrimit etnik, ende po glorifikohet nga shteti. Këtë duhet ta shohin edhe gjyqtarët në Hagë që po gjykojnë çlirimtarët tanë, që na çliruan pikërisht prej kasapëve që ende sot nderohen si heronj e jo si kriminelë lufte. Çdo politikan shqiptar brenda e jashtë Kosovës duhet ta bëjë të madhe këtë realitet, që të kuptohet njëherë e mirë me kë kemi pasur punë ne dhe sa po gjykohemi ne. Sepse Serbinë s’e ndalën as dënimet në Hagë e as vdekja e kasapëve të civilëve që faruan një Srebrenicë, duke kryer krime ndaj njerëzimit, prej foshnjave të pafajshme e deri te pleqnia që s’ishte e aftë as të mbrohej e as të ikte nga mosha. Shteti serb nuk pendohet ende. Se lëre më të kërkojë falje e të pranojë gabimin. Ata e nderojnë gjenocidin. Kanë nevojë serioze për dekontaminim popullor”, u shpreh ai./gazetametro.net