Loading…

Sulmohet policia me kosha e flakë nga protestuesit në Britani, lypin llogari për vrasjen e 18-vjeçarit

  • 03/06/2026 | 08:58

Sulmohet policia me kosha e flakë nga protestuesit në Britani, lypin llogari për vrasjen e 18-vjeçarit

Southampton, Mbretëria e Bashkuar Protestat e organizuara pas dënimit të Vickrum Digwa për vrasjen e 18-vjeçarit Henry Nowak u përshkallëzuan në përplasje të dhunshme me policinë të martën në mbrëmje, transmeton Gazeta Metro.


Qindra persona u mblodhën fillimisht pranë Stacionit Qendror të Policisë në Southampton për të kërkuar përgjigje lidhur me reagimin e policisë natën kur Nowak u godit për vdekje me thikë. Më pas, turma u zhvendos drejt zonës St Denys, pranë shtëpisë familjare të Digwa, ku tensionet u rritën ndjeshëm.

Sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale dhe raportimeve nga mediat britanike, protestuesit hodhën drejt policisë karrige, kanaçe, fishekzjarrë, tulla dhe kosha mbeturinash. Disa prej koshave ishin të përfshirë nga flakët dhe u shtynë drejt vijës së oficerëve të pajisur për kontrollin e trazirave.

Policia u detyrua në disa momente të tërhiqej përballë sulmeve, ndërsa një helikopter policie monitoronte situatën nga ajri. Disa protestues u panë me lëndime gjatë përplasjeve që vazhduan për disa orë.

Ngjarjet vijnë një ditë pasi 23-vjeçari Vickrum Digwa u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e Henry Nowak, studentit 18-vjeçar që u godit pesë herë me thikë në dhjetor të vitit të kaluar.

Pamjet e kamerave trupore treguan se Nowak ishte prangosur nga policia ndërsa përpiqej t’u tregonte oficerëve se ishte plagosur me thikë. Zyra e Pavarur për Sjelljen e Policisë ka nisur një hetim mbi veprimet e forcave të rendit gjatë incidentit.

Në një deklaratë, Policia e Hampshire tha se e kupton shqetësimin publik, por dënoi dhunën dhe paralajmëroi për përhapjen e dezinformatave në internet që, sipas saj, po nxisin tensione dhe kërcënime ndaj oficerëve./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë