Loading…

Sulmet ndaj kishave serbe në Kosovë: Policia nuk e mohon operacionin “Kultet”

  • 27/05/2021 | 15:20

Sulmet ndaj kishave serbe në Kosovë: Policia nuk e mohon operacionin “Kultet”

Mediat serbe kanë raportuar sot gjatë ditës së Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion për mbrojtjen e Kishës Ortodokse Serbe. Sipas ’Tanjug’, operacioni i Policisë së Kosovës është quajtur ’Kultet’ që ka të bëjë me shtimin e patrullimeve në vendet ku gjendet objektet fetare ortodokse serbe.


“Policia e Kosovës nisi planin “Kultet” në mënyrë që të mbrojë Kishën Ortodokse Serbe”, raporton Tanjug, transmeton Periskopi.

Periskopi ka dërguar pyetje në adresë të Policisë së Kosovë për të konfirmuar ose jo nëse me të vërtetë ka një plan policia ashtu siç raportojnë mediat serbe.

Nga Policia e Kosovës për Periskopin nuk kanë konfirmuar por as mohuar se operacioni ‘Kultet’ është funksional. Policia i ka thënë Periskopit se në objektet fetare e edhe në ato ortodokse serbe, dominojnë vjedhje që synojnë keqpërdormini e pasurisë dhe se asnjë nga 11 raste që janë raportuar nga policia nuk kanë të bëjnë me qasje fetare ndaj tyre.

“Në të shumtën rasteve dominojnë raste të ndryshme të vjedhjeve që synojnë keqpërdorimin e pasurisë së ligjshme. Këto janë kryesisht dëmtime të vogla materiale në ndërtesa që nuk kanë personel fetar gjatë gjithë kohës. Shumë dëme të objekteve të Trashëgimisë Kulturore dhe Fetare shkaktohen gjithashtu në raste të vjedhjes në tentativë ose gjatë kryerjes së vjedhjes. Sulmet ndaj ndërtesave me qëllimin kryesor të dëmtimit nuk janë raportuar. Andaj Policia e Kosovës në vazhdimësi kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe ruajtjes se Objekteve të Trashëgimisë Kulturore dhe Fetare.”, ka thënë Policia e Kosovës.

Ndërkohë, sipas PK’së vetëm në vitin 2021, 11 raste janë raportuar për vjedhje në objektet fetare ortodokse ndërsa 28 në ato myslimane.

Tendenca e mediave serbe se në Kosovë po dëmtohen objektet e tyre fetare vjen pas zhvillimeve të fundit lidhur me Manastrin e Deçanit, të cilin organizata e njohur e trashëgimisë kulturore – “Europa Nostra”, e shpalli në listën e 7 vendeve më të rrezikuara të kulturës në Evropë.

Menjëherë pas kësaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani i dërguan letër organizatës të trashëgimisë kulturore – “Europa Nostra” se ‘Manastiri i Deçanit s’është i rrezikuar’.

Me tej, Qeveria e Kosovës para disa ditëve ka pranuar kërkesën e shteteve të QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia e Britania e Madhe) për respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me tokën e Manastirit të Deçanit.

“E inkurajojmë atë (Qeverinë) që pa vonesa të vazhdojë me procesin e regjistrimit të pronës së Manastirit të Deçanit në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, u tha në deklaratë.

Ndryshe, në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Zona të Veçanta të Mbrojtura, i cili duhet të sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb si dhe për komunitetet tjera në Republikën e Kosovës.

Manastiri i Deçanit është njëra nga zonat e mbrojtura, sipas këtij ligji.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë