Tingujt e zogjve shpesh lidhen me qetësinë dhe relaksimin, por jo të gjitha cicërimat ndikojnë njësoj te njerëzit.
Një studim i ri shkencor ka zbuluar se disa karakteristika të zërit të zogjve i bëjnë ata më të këndshëm për dëgjimin njerëzor.
Studiuesit nga Universiteti i Tübingenit në Gjermani kanë vërejtur se njerëzit parapëlqejnë tingujt më të butë, me frekuenca më të kufizuara, ndërsa zërat më kompleksë i vlerësojnë si më të këndshëm.
Për të arritur në këto rezultate, ekipi hulumtues u kërkoi 84 pjesëmarrësve të dëgjonin regjistrime të 123 llojeve të zogjve të egër dhe të vlerësonin tingujt e tyre.
Më e pëlqyera nga pjesëmarrësit doli të ishte mëllenja (Turdus merula), e njohur për zërin e saj të butë, të pasur dhe melodik, që ngjan me tingullin e flautit. Në anën tjetër, kukuvajka mori vlerësimet më të ulëta.
Sipas studiuesve, kjo prirje mund të lidhet edhe me evolucionin njerëzor, pasi cicërimat e zogjve mund të kenë shërbyer historikisht si shenjë se mjedisi përreth ishte i sigurt.
Gjetjet, të raportuara nga CNN, mund të kenë rëndësi edhe për planifikimin urban. Ekspertët sugjerojnë që projektuesit e parqeve dhe hapësirave publike të marrin parasysh jo vetëm zvogëlimin e zhurmës, por edhe përfshirjen e tingujve natyrorë që ndikojnë pozitivisht në përjetimin e njerëzve.