Loading…

Studentët në protestë: Nuk japim përgjegjësi nëse radikalizohet situata

  • 04/07/2017 | 16:20

Studentët në protestë: Nuk japim përgjegjësi nëse radikalizohet situata

Vazhdojnë protestat e studentëve të Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka” para Rektoratit.


Kjo është protesta e dytë e studentëve nga Universiteti  i Pejës, të cilët janë revoltuar nga mos akreditimi i 65 përqind të programeve të Universitetit të Pejës, transmeton gazetametro.net

Studentët kanë kërkuar llogaridhënie nga stafit të UHZ’së, si pasojë e menaxhimit jo adekuat, ku sipas tyre, kjo ka shtyrë edhe në mos akreditimin e shumicës së programeve në këtë Universitet.

Gjithashtu, në këtë protestë nga studëntët është shprehur shqetësim për nepotizmi, punësimet partiake, shkeljet ligjore, dyshimet për diploma false dhe të pa nostrifikuara, publikime në revista të dyshimta të profesorëve që brenda natës u bënë me titull të asocuar, mos ndarja e bursave për studentët e dalluar që katër (4) vite radhazi, si dhe ushtrim të ndikimit në studentë për të mos e përkrahur protestën.

Studentet kanë shprehur zotimin se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave, dhe në anën tjetër kanë thënë se nuk bartin asnjë përgjegjësi në rast se situatat do të radikalizohet.

Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë:

Sot, me datë 04.07.2017 në Protestën e Dytë të organizuar të Studentëve të UHZ-së shfaqëm si shqetësim kryesorë MOSAKREDITIMIN e dy (2) programeve nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, si dhe SUSPENDIMIN e shtatë (7) programeve si shkak i mos përmbushjes së kritereve minimale për akreditim dhe e gjithë kjo si pasojë e menaxhimit jo adekuat të stafit të UHZ-së, që shpie në dështimin e 65% të programeve të Universitetit.

Akreditimi si një procedurë formale dhe transparente e kontrollimit të cilësisë, gjatë së cilës një organ i pavarur vërteton në bazë të standardeve të definuar, ndërkombëtarisht të njohura, nëse institucionet e arsimit të lartë përkatësisht programet e studimeve i përmbushin kërkesat minimale të cilësisë, është tregues i qartë se menaxhmenti me komoditet të shtuar dhe në dijeni të plotë për vërejtjet e KSHC-së që nga viti i kaluar e deri në vendimin për pezullim dhe mosakreditim, nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të përmirësuar dhe plotësuar stafin akademik dhe kriteret tjera të parapara në kornizën ligjore të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Përgjatë protestës, theksuam edhe shqetësimet tjera sikurse: Nepotizmi, Punësimet Partiake, Shkeljet Ligjore, dyshimet për diploma false dhe të panostrifikuara, publikime në revista të dyshimta të profesorëve që brenda natës u bënë me titull të asocuar, mos ndarja e Bursave për studentët e dalluar që katër (4) vite rradhazi, si dhe ushtrim të ndikimit në studentë për të mos e përkrahur protestën. Të gjitha shqetësimet tona do të kenë adresë të veçantë tek institucionet gjegjëse për të kërkuar përgjegjësi që po e mbajnë pengë tash e disa vite Universitetin tonë.

Ditët në vazhdim, ne do t’i bëjmë publike të gjithë emrat e personave zyrtarë që janë pjesë e Universitetit ‘’Haxhi Zeka’’ nga Rektorati, Dekanët e Njësive Akademike, Anëtarët e Bordit dhe Stafit Akademik të cilët kanë ndërhyrë në të gjitha format duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare duke parandaluar studentët për të marrë pjesë në protestë.

Si rrjedhojë e tërë këtij procesi, ne si studentë ndjehemi të ofenduar për veprimet që ky menaxhment po i bënë ditëve të fundit. Gjendja e rëndë ku ndodhet Universiteti vjen si pasojë e menaxhimit të dobët dhe udhëheqjes korruptive, mungesës së përkushtimit të stafit akademik në vlerësim korrekt dhe nuk vjen si pasojë e ‘’përtacisë’’ së studentëve të përkushtuar.

Me mënyrën se si është duke u drejtuar ky tempull i dijës e drejton atë:

– Nga Universiteti i dijës në atë të rezistencës për pushtet klanor politik,

– Nga mësimdhënia pa infrastrukturë në infrastrukturë pa mësimdhënie,

– Nga stafet akademike me diploma cilësore në stafe akademike klanore dhe shtypëse ndaj studentëve,

– Nga 5 vite Universitet në Universitet pa akreditim drejtë shuarjes.

Ne, poashtu, ndjehemi shumë të shqetësuar për veprimet dhe provokimet e bëra nga disa individë të ndikuar direkt nga po ky menaxhment për t’i dhënë kahje politike protestës sonë dhe një e gjë tillë mund të shpie deri në eskalim të situatës dhe përdorim të dhunës si nxitje direkte për konflikt mes studentëve. Krijimi i këtij grupi ka krijuar edhe paqartësi tek studentët me propaganda nga më të ndryshmet dhe këto veprime shihen qartë se janë në favor të këtij menaxhmenti tashmë të dështuar me të vetmin arsyetim që Universitetit po i i humb imazhi me këto veprime të protestuesve. Imazhi i një institucioni arrihet me punë dhe përkushtim e mbi të gjitha me vlerësime të mira ndërkombëtare dhe ato të brendshme të institucioneve përkatëse e jo duke mbrojtur anën e errët të Universitetit siç po bëhet në këtë rast.

Me moton #përUniversitetin dhe duke kërkuar dorëheqjen e keqmenaxhuesëve, ne mbrojmë imazhin e mbetur të UHZ-së dhe kërkojmë cilësi ose në të kundërten ky Universitet rrezikohet të shëndrrohet në një Kolegj.

Ne, jemi të zotuar dhe e themi me përgjegjësi të plotë se nuk do të ndalemi deri në realizimin e kërkesave tona dhe në anën tjetër nuk bartim asnjë përgjegjësi në rast se situatat do të radikalizohet.

Ftojmë të gjithë studentët, stafin akademik, si dhe gjithë shoqërinë civile për të përkrahur inciativën tonë në ditët në vazhdim për një Universitet cilësor, me diploma kredibile të njohura në tregun e brendshëm dhe atë ndërkombëtar./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë