Loading…

‘Stenta 1’, Ferid Agani thotë se nuk kishte ndodhur asnjë rast i tejkalimit të udhëzimit administrativ

  • 24/06/2022 | 20:09

‘Stenta 1’, Ferid Agani thotë se nuk kishte ndodhur asnjë rast i tejkalimit të udhëzimit administrativ

Ish-ministri i Shëndetësisë i akuzuar për korrupsion, Ferid Agani, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, tha se në cilësinë e ministrit nuk kishte ndodhur asnjë rast i tejkalimit të udhëzimit administrativ, pra i tejkalimit të shumës nga 70% në 100%, as në raportet e auditorit të jashtëm e as të brendshëm.


Këtë deklarim, Agani e ka dhënë në seancën e së premtes, në rastin e njohur si “Stenta 1”, ku bashkë me ish-Sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabanin po akuzohen se kishin lidhur marrëveshje me spitale private për ofrimin e shërbimeve që nuk ofroheshin në spitale publike pa procedurë tenderuese dhe në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Agani tha se si ministër kishte ndalur kontrata për të cilat është vërtetuar që nuk janë bazuar në ligj.

“Detyra ime ka qenë me e përcjellë ligjshmërinë në Ministrinë e Shëndetësisë, nëse në një pikë kam informata se u shkel ligji në çfarëdo niveli, unë automatikisht kërkoj nga përgjegjësit përgjegjësi por kjo nuk ka qenë në rastin tim”, shtoi ai.

Ndërsa, lidhur me përgatitjen e dosjes së një pacient deri sa të arrihet te Bordi Ekzekutiv, i akuzuari Agani ka sqaruar se dosja e pacientit që synon të shfrytëzojë shërbime jashtë institucioneve publike shëndetësore është përgatitur nga zyra e posaçme për këtë lloj të trajtimit duke u kompletuar dokumentacioni i paraparë në udhëzimin administrativ në fuqi në mesin e të cilit sipas tij është dashur të jetë raporti i komisionit vlerësues mjekësor dhe raporti i Bordit Ekzekutiv për trajtimit jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Sipas tij, lënda pastaj është përcjellë te zyra e sekretarit të përgjithshëm të ministrisë dhe te kabineti të tij për lëndët që kanë pasur vlerë më shumë se 10 mijë euro, dhe sipas udhëzimit administrativ 10/2013 kjo procedurë ka përfunduar me nënshkrimin e kërkesës për zotimin e mjeteve financiare nga menaxheri i programit buxhetor dhe zyrtari autorizues i ministrisë së shëndetësisë.

Tutje, Agani ka sqaruar se vendimet e Bordit kanë qenë të apelueshme në dy nivele të emëruara nga ana e ministrit në përbërje prej 3 anëtareve në mandat 2 vjeçar, ndërsa në bazë të Udhëzimit Administrativ 02/2010 komisionin e parë për ankesa e ka emëruar sekretari i përgjithshëm ndërsa të dytin ministri.

Po ashtu, ai tha se përcaktimi i pagesave për pacientë që kanë pasur nevojë për trajtim jashtë institucioneve publike 70% dhe 100%, ka qenë detyrë ekskluzive e Bordit Ekzekutiv e përcaktuar me udhëzimet përkatëse administrative.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Gani Shabani, avokatit Skender Musa se a kishte pasur të drejtë sekretari dhe ai si ministër të ndryshojnë vendimin e Bordit Ekzekutiv sa i përket rritjes apo zvogëlimit të vlerës nga 70% në 100% apo anasjelltas, Agani tha se në asnjë mënyrë pasi që kjo e drejtë në udhëzimet përkatëse administrative iu ka deleguar nga ministri Bordit Ekzekutiv për trajtim jashtë institucioneve publike sepse udhëzimet i ka nënshkruar ministri.

Po ashtu, ai tha se Bordi Ekzekutiv ka qenë organ i pavarur me obligim të raportimit të rregullt

Agani ka sqaruar se në ditët e para kur kishte marrë mandatin, Departamenti Farmaceutik kishte paraqitur rastin për stentat e skaduara në depon e QKUK-së në vlerë prej 270 mijë euro.

I pyetur nga anëtari i trupit gjykues, Lutfi Shala se çka është dashur të bëhet që të funksionojë kardiologjia invazive që të mos bëhen këto marrëveshje por pacientët t’i kryejnë këto shërbime brenda institucioneve publike, Agani tha se mungesë e madhe kishte qenë Klinika e Kardiokirurgjisë në QKUK sepse sipas tij gjatë procedurave të kardiologjisë invazive mund të vie deri të rastet e komplikimeve dhe në këtë drejtim kanë ndërmarrë masa urgjente për themelimin e Klinikës së Kardiokirurgjisë, për të cilën tha se u hap në vitin 2012 një vit pasi që kishte marrë mandatin.

Tutje, Agani tha se si faktor i dytë ka qenë nevoja e përmirësimit të domosdoshëm të pajisjeve për koronografi dhe stentimit, për çka kishte arritur që në negociata me qeverinë austriake të sigurojë një hua në shkallë të ulët të interesit për blerjen e kësaj pajisje dhe ndërtimin e hapësirave të duhura për vendosjen e tyre.

“Këto mjete financiare kanë qenë të alokuara në kornizën afatmesme të shpenzimeve të ashtuquajtura “Kash” në ligjin për buxhetin vjetor për periudhën 2012-2015 dhe me këto mjete janë blerë pajisjet që sot janë në funksion në QKUK”, shtoi ai.

Agani tha se ai  kishte pasur insistim këmbëngulës që shërbimi të bëhej gjate 24 orëve pasi që ishte bërë vetëm deri në ora 15:00 por që pengesë për këtë tha se kishte qenë mungesa e stafit të trajnuar për ofrimin e këtyre shërbimeve gjatë 24 orëve.

“Për të tejkaluar këtë pengesë kam lidh marrëveshje të veçantë të bashkëpunimit me klinikën e kardiologjisë “Qskuk Nënë Tereza” në Tiranë në mënyrë që të kemi plotësim  të kuadrit të duhur profesional për shërbim 24 orësh”, tha Agani.

Agani tha se gjatë mandatit të tij si ministër, qytetarët e Kosovës kanë përjetuar infrakte akute çdo ditë dhe se ata nuk kanë mundur të pritnin 3 apo 6 muaj që të trajtohen.

“Mua më është dashur të punoj në tre binare paralel , të provojmë të gjejmë zgjidhje për pacientet në QKUK me ata mjekët që i kemi, të përmirësojmë nivelin e shfrytëzimit të materialit hargjues edhe të bijmë koleg nga Tirana që të punojnë bashkë me ta në këtë drejtim” shtoi ai.

Ai tha se gjendja ato ditë kishte qenë shumë e vështirë pasi që në QKUK kishte qenë vetëm një aparat dhe një koronograf i cili punonte herë pas here.

“Unë kam qenë i lumtur që në sektorin privat të shëndetësisë po vijnë investime me shërbime që QKUK-ja nuk po mundet me i ofru ose po i bojnë vetëm deri në ora 3 sepse pas orës 3 nuk po ka mjek që munden me i bo. Edhe një herë po them se ato marrëveshje kanë qenë obligative”, tha Agani.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë