Sinan Kajtazi qëndroi vetëm 12 ditë si i zgjedhur në pozitën e drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës. Krejt kjo, për shkak të një opinioni të Agjencisë Kundër Korrupsionit, shkruan Gazeta Metro.
Të martën, Kajtazi ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e ushtruesit të detyrës së drejtorit të BKK-së pasi, siç ka thënë ai, opinioni i Agjencisë Kundër korrupsionit ka vlerësuar se pozita e tij do të përbënte “konflikt interesi”.
Kajtazi deri në janar të këtij viti ishte kryetar i Këshillit Drejtues të BKK-së. Kjo del të jetë arsyeja që ai për dy vjet pas largimit nga kjo pozitë të mos mundë të ushtrojë detyrën e drejtorit të institucionit. Por një rast i ngjashëm ishte ai i vitit 2014, kur drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës ishte zgjedhur Arben Zharku pas dorëheqjes nga pozita e kryesuesit të Këshillit Drejtues të këtij institucioni. Asokohe AKK-ja kishte thënë se bëhet fjalë për çështje etike e jo për konflikt interesi.
“Me keqardhje ju njoftoj që pas kërkesës sime për opinion nga Agjencia Kundër Korrupsionit, në lidhje me pozitën e drejtorit të BKK-së, nga kjo Agjenci më është kumtuar se sipas Ligjit Kundër Korrupsionit/neni 18, pozita ime si drejtor i BKK-së do të përbënte ‘konflikt interesi’, meqë deri në janar të 2019-s kam qenë kryetar i KD të BKK-së, dhe në periudhë prej 2 vjetësh pas largimit nga Këshilli Drejtues nuk kam të drejtë të marr këtë post. Prandaj, ju njoftoj që sot kam dhënë dorëheqjen nga u.d. i drejtorit të BKK-së dhe rrjedhimisht më duhet të refuzoj emërimin si drejtor nga Këshilli Drejtues i BKK-së”, ka shkruar Kajtazi në profilin e tij në Facebook.
Më poshtë e gjeni opinionin e Agjencisë kundër Korrupsioni e cila në rastin e Arben Zharkut kishte konstatuar thënë se bëhet fjalë për çështje etike e jo për konflikt interesi.