I ka rastisur të jetë nisur për një festë dhe të përfundojë në aksionë plot adrenalinë, ku sfidohet krimi dhe shpëtohen jetë.
Arenat sportive i ka ndërruar me terrene më të rrezikshme. E ka lënë boksin e karatenë – ani pse gjatë karrierës në sport ka marrë medalje ndërkombëtare – për të dalë në fushën ku rreziku është i një tjetër dimensioni. Ishte një Marigonë që qëndisi flamurin kuq e zi dhe tani edhe një tjetër Marigonë – e gatshme të japë çdo gjë nga vetja për t’u ndihmuar të pambrojturve.
Marigona Beadini është police e Njësisë Speciale Operative (NJSO) të Kosovës. Ndër të rrallat femra të këtij profesioni. Nuk ka munguar as edhe në një aksion, i cili është ndërmarrë (prej që ajo është pjesë e NJSO) ku parandalohen krimet.
Njësisë që ndërhynë në ato situata, të cilat nuk ka mundur t’i rehatojë asnjë tjetër mekanizëm ligjor dhe njerëzor.
Asaj i janë nevojitur vetëm disa minuta kohë për t’u përgatitur dhe bashkuar këtyre aksioneve.
“Nëse jam brenda këtij objekti, përgatitem për 5 ose 10 minuta për aksion. Nëse nuk jam këtu, 20 minuta maksimumi më duhen që t’i bashkohem aksionit”, thotë Marigona.
E për aksion duhen një sërë pajisjesh. Arma në brez është vetëm njëra ndër to. Aty janë helmeta, jeleku antiplumb, një çantë e rëndë mbi supe dhe të tjera pajisje, të cilat peshojnë jo më pak se 30 kilogramë.
Marigona është nga Prishtina, dhe po bëhen tre vjet që kur ajo është operatore e NJSO’së, ndërsa në Policinë e Kosovës ka hyrë që nga viti 2012.Është edhe studente e Juridikut. Është shumë ë vëmendshme, edhe më e këndshme sesa duket nga jashtë kur vë helmetën. E gatshme gjithmonë për frontin e luftës kundër të keqes. Kështu duket edhe në fizikun e saj, në ecjen e saj. As sa shumë herë qytetarët nuk e kanë njohur që është femër, derisa ka qenë e veshur me helmetë.
“Me ka ndodhur në shumë raste që kur kam hequr helmetën, njerëzit më janë afruar duke u gëzuar kur më kanë parë se jam femër. Duke shprehur dëshirë të bëjnë fotografi kujtimi”, tregon ajo.
Ajo ruan një mal kujtimesh dhe përvojash nga aksionet. Por, diçka e shtyn të mos shpalosë shumë detaje nga to. E krejt çka e bën të lumtur, pas secilit aksion, është liria që sheh në sytë e atyre që ka mbrojtur. Kjo i jep kuptim jetës së saj dhe punës që bën. Ia shton buzëqeshjen, që s’e heq nga fytyra. Është motiv për të mos u ndalur, deri në pakufi.
“Shoh një admirim të madh që kanë për në. Ndonjëherë disa e thonë edhe me fjalë. Na falenderojnë me shpirt, na thonë se jemi krenaria e shtetit. Lum që na kanë!”, tregon Marigona.
Gjatë aksioneve edhe është lënduar ndonjëherë. Por, ajo i përshkruan si lëndime të lehta. Madje, as nuk parapëlqen t’i elaborojë. Sepse i do aksionet. E do rezultatin që sjellin ato. I do edhe armët, të cilat megjithatë është e lumtur që në këtë trevjeçar të punës nuk i ka ndodhur ende të shkrepë mbi dikë.