Loading…

Sot vulosen rezultatet e zgjedhjeve, hapet rruga për formimin e institucioneve

  • 08/07/2026 | 09:25

Sot vulosen rezultatet e zgjedhjeve, hapet rruga për formimin e institucioneve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mblidhet sot në orën 11:00 për të certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit. Certifikimit i është hapur rruga pasi Gjykata Supreme refuzoi si të pabazuara të gjitha ankesat e paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).


Në një njoftim për media, Gjykata Supreme bëri të ditur se ka shqyrtuar pesë ankesa administrative të paraqitura nga kandidatë për deputetë dhe subjekte politike lidhur me rezultatet përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja, duke i refuzuar të gjitha si të pabazuara.

“Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur për pesë ankesat administrative të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Të gjitha ankesat janë refuzuar si të pabazuara”, thuhet në njoftimin e Supremes.

Ndërkohë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar se mbledhja për certifikimin e rezultateve do të mbahet sot në orën 11:00.

“Ju njoftoj se të mërkurën (8 korrik 2026, ora 11:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës. Në rend dite është certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 7 qershor. Mbledhja është caktuar pas vendosjes nga Gjykata Supreme për ankesat e paraqitura në këtë institucion”, ka deklaruar Elezi.

Sipas Kushtetutës, pas certifikimit të rezultateve, brenda 30 ditësh duhet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit, ku deputetët do të bëjnë betimin dhe do të zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se i ka siguruar votat për formimin e Qeverisë së re. Ish-shefja e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se menjëherë pas konstituimit të Kuvendit duhet të vazhdohet me votimin e Qeverisë, ndërsa më pas të punohet për arritjen e konsensusit për zgjedhjen e presidentit.

“Sa i përket Qeverisë, ne i kemi votat e nevojshme. Prandaj, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit pa humbur kohë duhet të vazhdojmë me procedurën për votimin e Qeverisë, ndërsa brenda afateve kushtetuese do të angazhohemi edhe për arritjen e konsensusit rreth zgjedhjes së presidentit/es”, ka deklaruar Nagavci për Radion Evropa e Lirë.

Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kishte paralajmëruar se pas certifikimit të rezultateve do të nisin diskutimet për formimin e institucioneve të reja.

“Porsa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja: konstituimin e legjislaturës së 11-të të Kuvendit, formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e Presidentit apo Presidentes”, kishte deklaruar Kurti në një mbledhje të Qeverisë në detyrë.

Meqenëse zgjedhjet e 7 qershorit u mbajtën pas dështimit për zgjedhjen e presidentit, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka vlerësuar se menjëherë pas konstituimit të Kuvendit duhet të nisë procedura për zgjedhjen e kreut të shtetit.

“Menjëherë duhet të fillojë procedura për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Pra, Kuvendi i Kosovës që konstituohet nuk mund të ketë asgjë tjetër në agjendë pos propozimet për Presidentin e Republikës”, ka deklaruar Hasani.

Ai ka theksuar gjithashtu se ushtruesja e detyrës së Presidentit, Albulena Haxhiu, nuk mund ta dekretojë mandatarin për formimin e Qeverisë së re.

Në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin u përcaktuan afatet për zgjedhjen e presidentit, thuhet se procedura duhet të nisë menjëherë pas konstituimit të Kuvendit.

“Në kontekstin specifik të rrethanave të një Kuvendi të shpërndarë dhe ende të pakonstituuar, Gjykata… vlerëson se procedura për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojë nga dita e konstituimit të Kuvendit dhe të përfundojë më së largu brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve nga dita e fillimit të procedurës për zgjedhjen e Presidentit”, thuhet në aktgjykim.

KQZ-ja kishte publikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve më 27 qershor. Sipas tyre, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.13 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 19.44 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 16.69 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6.74 për qind, ndërsa Lista Serbe 5.40 për qind të votave.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë