Kombet e Bashkuara kanë caktuar të hënën e parë të muajit tetor të çdo viti si Ditën Botërore të Habitatit, për të reflektuar lidhur me gjendjen e qytezave dhe qyteteve tona, si dhe me të drejtën themelore të të gjithëve për strehim adekuat. Kjo ditë gjithashtu na kujton se ne kemi fuqinë dhe përgjegjësinë për të formësuar të ardhmen e qyteteve dhe qytezave tona.
Tema e sivjetme është Menaxhimi i Mbeturinave Komunale me pikë kryesore të vrojtimit në Kenia. Menaxhimi i Mbeturinave paraqet një problem global që prek të gjithë. Sasia e mbeturinave të prodhuara nga individët është duke u rritur dita ditës, dhe një gjë e tillë është duke i kushtuar autoriteteve lokale me shpenzim të një pjesë të madhe të buxheteve të tyre. Mbledhja dhe deponimi jo adekuat i mbeturinave mund të çojë në probleme serioze shëndetësore nga deponitë e pakontrolluara dhe djegia e mbeturinave. Kjo gjithashtu shkakton ndotjen e ajrit dhe ujit.
Ndryshimi në sjelljet e publikut për të minimizuar mbeturinat dhe për të ndaluar hedhjen e mbeturinave, rregullimi i mbledhësve jo-formalë të mbeturinave, rritja e riciklimit dhe ripërdorimit, financimi i mjaftueshëm, planifikimi lidhur me mbeturinat, duke përfshirë lokacionet përkatëse të deponive mund të ndihmojnë qytetet në përmirësimin e gjendjes aktuale të menaxhimit të mbeturinave të dhe në kursimin e parave, që si rrjedhojë i bën ato qytete me trajtim të duhur të mbeturinave (‘Waste-Wise Cities’).
Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZhQ-të), Marrëveshja e Parisit dhe Agjenda e Re Urbane adresojnë problemin kyç, e që është menaxhimi i mbeturinave. Qëllimet e deklaruara përfshijnë reduktimin e ndikimit negativ mjedisor të qyteteve, dhe krijimin e menaxhimit të shëndoshë mjedisor të të gjitha mbeturinave nëpërmjet parandalimit, reduktimit, riciklimit dhe ripërdorimit të mbeturinave ushqimore. Të gjitha këto përkushtime duhet të kthehen në veprime praktike dhe të qëndrueshme në nivel lokal. Një gjë e tillë kërkon mbështetjen e një rrjeti akterësh, nën udhëheqjen e autoriteteve lokale, për të rritur në maksimum mundësitë e partneritetit.
Këtë vit, autoritetet lokale e kanë bërë pikërisht këtë, duke marrë drejtimin në një iniciativë të vazhdueshme për të larguar mbeturinat e grumbulluara gjatë 19 viteve të fundit. Let’s Do It! Kosova, që është një kapitull i lëvizjes globale Let’s Do It! World, që nga viti 2012, në baza vjetore organizon përpjekje për mobilizimin e vullnetarëve për largimin e qindra deponive të paligjshme në të gjithë vendin. Muajin e kaluar, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor bashkëpunoi me Let’s Do It! Kosova në lansimin e aktivitetit Ta Pastrojmë Kosovën.
Më shumë se 30 komuna krijuan task forca ‘Ta Pastrojmë Kosovën’, të udhëhequra nga kryetarët e tyre përkatës. Iniciativa ‘Ta Pastrojmë Kosovën’ u bëri thirrje qytetarëve, institucioneve, bashkësive fetare, partive politike, shoqërive civile dhe mediave për t’u bashkuar në përpjekjen kombëtare gjatë javës së 15-22 Shtatorit 2018. Mbi 100,000 vullnetarë morën pjesë në këtë përpjekje gjatë kësaj jave, duke larguar deponitë ilegale dhe duke pastruar deponitë në tërë Kosovën.
Si themel i strategjive të mira të menaxhimit të mbeturinave janë zgjidhjet kosto-efektive, të përballueshme dhe gjithëpërfshirëse, që njohin rolin e sektorëve jo-formalë dhe atë të mikro-ndërmarrjeve. Dita Botërore e Habitatit këtë vit paraqet një mundësi për të njohur hapat që Kosova ka ndërmarrë drejt përmirësimit të menaxhimit të mbeturinave, si dhe përpjekjeve për një të ardhme më të pastër dhe më të shëndetshme. Mbi të gjitha, ky është një moment për të ngritur ndërgjegjësimin e publikut në vendbanimet tona, të komuniteteve lokale, si dhe në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, për të reflektuar mbi përgjegjësinë tonë kolektive në ruajtjen e të ardhmes së vendbanimit njerëzor.