Ligatinat janë një ekosistem mjaft i rëndësishëm që sigurojnë një larmi përfitimesh përfshirë filtrimin e ujit, sigurimin e biodiversitetit, mbrojtjen e bregdetit dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike.
E ardhmja e një jetese të qëndrueshme për njerëzimin varet nga ligatinat, megjithatë, gjysma e ligatinave në botë janë zhdukur gjatë shekullit të fundit.
Shumë pak vetë e dinë se në 3% sipërfaqe ligatinore në bregdet, përmblidhen 75% e vlerave të biodiversitetit. Në jo pak raste, ligatinat janë shndërruar në vende për hedhjen e mbeturinave apo janë transformuar në toka buke apo terrene ndërtimi.
2 shkurti i çdo viti është Dita Botërore e Ligatinave. Kjo ditë shënon datën e miratimit të Konventës për Ligatinat në 2 Shkurt 1971 në qytetin iranian të Ramsar-it.
Dita Botërore e Ligatinave është një mundësi e mirë për të ndryshuar situatën dhe ndërgjegjësuar publikun mbi rëndësinë që kanë ligatinat për të ardhmen e njerëzimit.
Sot në Ditën Botërore të Ligatinave do të ketë disa aktivitete të organizuara nga ministria e Mjedisit.
Në zonën e mbrojtur “Peisazhi ujor/tokësor i mbrojtur” i lumit Buna dhe territoreve ligatinore përreth tij” e përfshirë në listën e Zonave Ramsar si ligatinë e rëndësishme për shpendët shtegtarë, do të ketë një aktivitet me qendër Velipojën./gazetametro.net