Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, bëri të ditur se përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike janë duke vazhduar, me synimin që vendi të mos shkojë në një proces të ri zgjedhor, transmeton Gazeta Metro.
Në deklarimin e tij para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit, ai vlerësoi se komunikimi me Lëvizjen Vetëvendosje ka sjellë afrime në disa tema, megjithëse, sipas tij, mbetet ende një çështje thelbësore që nuk është tejkaluar.
“Në këtë fazë, sa më shumë që takohemi, më e mundshme është zgjidhja. Dhe po, takimet po janë të mira, në aspektin e diskutimeve, ka shumë afrime në shumë çështje, por ende ka distancë në çështjen kryesore, që është balanca demokratike. Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet, nuk ka arsye të mos konstituohet. Ne kërkojmë balancë demokratike, dhe balanca demokratike kërkon që LDK-ja të jetë e përfaqësuar”, u shpreh Abdixhiku./gazetametro.net