Kosova, një vend i vogël në regjionin e Ballkanit, nuk duket se ka të bëjë me mbrëmje të muzikës elektronike nëpër klubet e saj. Megjithatë, shteti me të kaluar jo edhe aq të këndshme, ka një rini entuziaste që argëtohen me muzikë elektronike, shkruan revista holandeze FuzzMag.
Ne udhëtuam përmes maleve të gjelbra dhe dhe lumenjve të kaltër për në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën. Kaluam mbrëmjen në një lokal pranë hekurudhës duke biseduar me themeluesit e skenës së muzikës elektronike në Prishtinë, transmeton gazetametro.net
Nata jonë e një fillimi shtatori filloi në një klub nate të quajtur ‘Zone’, i gjendur në një pjesë periferike të qytetit. Aty mbërritëm pas një vozitjeje 20 minutëshe me taxi që na kushtoi 5 euro. Ky klub ishte i njohur për netët e tij të shkëlqyeshme me muzikë hip-hop, me femra të veshura bukur e me taka të larta si dhe me meshkuj të veshur me këmisha të hekurosura mirë.
Meshkujt paguanin 10 euro për të hyrë në klub, kurse femrat gjysmë çmimi, praktikë kjo e aplikuar në tërë Ballkanin me qëllim që brenda të ketë njëfarë barazie mes dy gjinive. Megjithatë, me pagë mesatare 370 euro në muaj, nuk është e lehtë për një kosovar që ta shndërrojë në shprehi vizitimin e klubeve të natës. Kur kësaj ia shtojmë edhe çmimet jashtëzakonisht të shtrenjta të pijeve – 3 euro për birrën më të vogël – dalja natën në kryeqytet për vendasit duket e pamundur.
Brenda klubit lëvizja mes njerëzve ishte gati e pamundur pasi mysafirët që e quanin veten VIP ishin vendosur në tavolina të mëdha. Artisti që performoi gjatë natës, Solomon, u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku sapo doli në skenë, për të mos u ndalur për 5 orë rresht.
Ditëve në vijim u takuam me disa nga djemtë që e kanë nisur aventurën e muzikës elektronike në Prishtinë. Ata ankoheshin se DJ-të janë të nënvlerësuar sepse paguhen pak dhe pajisjet për ta zhvilluar profesionin kushtojnë shtrenjtë.
Gjatë kësaj kohe sa qëndruam në Prishtinë, arritëm në përfundim se rinia kosovare, nëse mbështetet edhe nga vendi, mund të vendosë standarde të reja për muzikën elektronike. /gazetametro.net