Loading…

Skandali i biletave të Botërorit 2026: FIFA nën hetim, tifozët ankohen për çmime dhe vende

  • 05/06/2026 | 13:24

Skandali i biletave të Botërorit 2026: FIFA nën hetim, tifozët ankohen për çmime dhe vende

Me vetëm një javë deri në startin e Kupës së Botës 2026, pyetjet rreth tregut të biletave po shtohen, ndërsa situata mbetet e paqartë dhe shpesh kontradiktore.


Edhe pse FIFA kishte premtuar një turne “plotësisht të shitur”, në realitet mijëra bileta ende janë të disponueshme në platforma të ndryshme zyrtare dhe sekondare.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, deklaroi në shkurt se “çdo ndeshje është e shitur”, duke shtuar se vetëm një numër i kufizuar biletash mbahet për shitje të minutës së fundit.

Por raportimet e fundit nga BBC Sport tregojnë një pamje tjetër: për shumë ndeshje veçanërisht ato me ekipe më pak të njohura, ende ka mijëra bileta të papërdorura.

Sipas të dhënave nga platforma analitike TicketData, në një moment të fundit ishin të disponueshme rreth 74,000 bileta për 86 nga 104 ndeshje gjithsej.

Vetëm pak ditë më vonë, kjo shifër ra ndjeshëm, duke krijuar dyshime për lëvizje të pazakonta në treg.

Problemet me çmimet dhe transparencën

Një nga kritikat kryesore ndaj FIFA-s lidhet me mënyrën e shitjes së biletave.

Autoritetet në SHBA, përfshirë prokurorët e New Yorkut dhe New Jerseyt, kanë nisur hetime zyrtare ndaj FIFA-s për dyshime mbi: rritje artificiale të çmimeve, mashtrim të tifozëve dhe mungesë transparence në procesin e blerjes.

Sipas hetimeve, disa tifozë që blenë bileta në kategori të caktuara, përfunduan duke marrë vende me vlerë më të ulët se sa kishin paguar, shpesh më larg fushës.

Një tjetër kritikë është fakti se gjatë fazës së shortit nuk u publikua një strukturë e qartë çmimesh.

Shumë tifozë kuptuan koston reale vetëm në momentin e pagesës.

“Lojë me çmime” dhe ndryshime të vazhdueshme

FIFA përdori një sistem të quajtur “variable pricing”, ku çmimet ndryshojnë gjatë fazave të ndryshme të shitjes, por pa një transparencë të plotë për blerësit.

Në disa raste janë shtuar kategori të reja ulësesh, sidomos në zonat më afër fushës, me çmime deri 50% më të larta, pa qenë të disponueshme në fazën e parë të shortit.

Sipas raportimeve, këto ndryshime në stadiume dhe kategori kanë krijuar konfuzion të madh dhe pakënaqësi te tifozët.

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë