Loading…

Situata me pandeminë në Kosovë: Pozita dhe opozita me qëndrime të kundërta për masat antiCOVID

  • 28/01/2022 | 09:10

Situata me pandeminë në Kosovë: Pozita dhe opozita me qëndrime të kundërta për masat antiCOVID

Një ditë më parë në vend u shënuan gjashtë raste të vdekjes nga koronavirusi dhe 3,917 raste të reja pozitive, ndërsa edhe në Kuvendin e Kosovës u diskutua situata me pandeminë COVID-19.


Aktualisht, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, referuar të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës në total numri i rasteve aktive me coronavirus është 28,751.

Për gjendjen me pandeminë të enjten u mbajt edhe një seancë e jashtëzakonshme. Derisa opozita kërkonte rishqyrtimin e masave, pozita theksoi se janë në përputhje me gjendjen aktuale, raporton Telegrafi.

Nuk miratohen rekomandimet e opozitës për rishqyrtim të masave anti-COVID

Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar rekomandimet e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK për rishqyrtim të masave kufizuese për pandeminë COVID-19. Kundër këtyre rekomandimeve u shprehën 41 deputetë, ndërsa pro vetëm 22.

Në përfundim të seancës së jashtëzakonshme për pandeminë, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, paraqiti gjashtë rekomandime para deputetëve për miratim.

“Në emër të tri grupeve opozitare ne paraqesim një rezolutë e cila përkufizohet: Qeveria me urgjencë të rishqyrtojë masat kufizuese pas konsultimit me ekspertët shëndetësor dhe nivelin lokal të ketë masa konform situatës pandemike. Të hartojë në kohë vendosjen në kohë të masave kufizuese, larg masave që merren në panik dhe që prodhojnë vetëm situatë paniku. Qeveria të prezantojë planin para Kuvendit për vaksinimin për vitin 2022. Qeveria të sigurojë vaksina masive mobile në shkolla, institucione publike dhe private me qëllim të gjurmimit dhe monitorimi të rasteve me COVID-19″.

“Qeveria në konsultim me ekspertët shëndetësor të miratojë strategjinë për COVID-19 dhe rritjeve të kapaciteteve, pa i bllokuar shërbimet tjera shëndetësore që vlejnë edhe për institucionet shëndetësore. Keqpërdorimet financiare në emër të pandemisë, blerjet e barnave dhe pajisjeve mjekësore me çmime abuzive të adresohen në organe e hetuesisë. Me urgjencë të sillet ligji për pagat në Kuvend miratim dhe e fundit masat për kufizim të lëvizjes së lirë të koordinohen me shtetet e rajonit, sidomos Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, është shprehur Zemaj.

Por shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari –Lila i quajti të papranueshme.

“Ky debat synohet të devijohet me rezolutë që përbënë çdo gjë. Në rezolutën e propozuar kërkohet që të sillet ligji i pagave që më herët është refuzuar në një seancë të Kuvendit. GP i LVV një rezolutë që përbënë tema që nuk lidhen për çka është thirrur seanca nuk mund t’i mbështesë dhe do të votojmë kundër saj”, tha ajo.

Në seancën e së enjtes për situatën me pandeminë kanë folur edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Kritikat për masat antiCOVID, Kurti: Masat nuk kanë pikur nga qielli

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka njoftuara para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se varianti Omicron po përhapet më lehtë se variantet tjera dhe se një person i infektuar me Omicron po infekton mesatarisht katër të tjerë.

Kurti më tej para deputetëve të Kuvendit tha se një person po infekton të tjerët vetëm dy ditë pasi është infektuar vet.

Kreu i ekzekutivit të vendit i është përgjigjur edhe kritikave të opozitës për masat e fundit antiCOVID.

“Masat antiCOVID nuk kanë rënë nga qielli, por rezultat i një procesi të kujdesshëm…ne jemi një qeveri që nuk merr vendime shkel e shko e për përfitime politike, por qeveri që është e gatshme edhe për  vendime të vështira por për të mirën e qytetarëve”, tha ai.

“Nuk kam detyrë më parësore se të mbroj shëndetin e qytetarëve tanë me të gjitha mjetet që qeveria i ka në dispozicion. Jeta dhe shëndeti i qytetarëve e kanë fjalën e parë dhe të fundit të vendimeve tona.

Jemi të vetëdijshëm për pasojat masat kufizuese mund të shkaktojnë në jetën ekonomike, kulturore e shoqërore të vendit”, tha ai.

Kurti më tej kërkoi nga qytetarët që të mos e neglizhojnë Omicronin, por të vaksinohen edhe me dozë përforcuese.

Ai tha se nga korriku i vitit 2021 deri në 25 janar 2022, 74 për qind e të infektuarve kanë të pavaksinuar dhe mbi 80 për qind e rasteve të vdekjeve kanë qenë të pavaksinuar.

Latifi: Masat antiCOVID vendosen konform situatës me pandeminë

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ë Kosovës lidhur me situatën me pandeminë tha se të gjitha vendimet për masat vijnë pas diskutimeve me ekspertë shëndetësorë.

Latifi theksoi se kanë vendosur kufizime në sektorë të caktuar që janë me rrezik të lartë dhe po presin të shohin si zhvillohet situata në spitale.

“Natyrisht se çdo ditë e vlerësojmë këtë dhe do t’i marrim masat konform këtyre zhvillimeve. COVID-i është gjithë andej”, tha ministri.

Sipas tij, ajo që e dallon Kosovën nga vendet tjera është numri i madh i testeve, vendi i dytë në rajon pas Sllovenisë.

Ministri i Shëndetësisë po ashtu tha se sipas trendit aktual shihet se Kosova ka shumë më pak raste të vdekjes se vendet tjera.  “Mesatarja javore deri më tash 0.5 raste në 1 milion banorë me vdekje”, tha ai.

Ndryshe, masat e reja kufizuese kundër coronavirusit kanë hyrë në fuqi më 22 janar dhe do të jenë në fuqi deri më 4 shkurt.

Me masat e reja ndalohet lëvizja e qytetarëve pas orës 22:00, kurse sektori i gastronomisë lejohet të punojë vetëm deri në ora 21:00, transmeton Telegrafi.

Po ashtu, ndalohet hyrja në mjetet e transportit publik dhe ndërkombëtar pa maskë, ndërsa operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të kapacitetit të ulëseve.

Në taksi lejohen të udhëtojnë deri në dy udhëtarë.

Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme: Certifikatën e vaksinimit me tri (3) doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen dhe dozë përforcuese) kundër COVID-19;Certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen) kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore).

Pavarësisht numrit të personave, ndalohet veprimtaria e klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Bibliotekat, muzetë, kinematë, teatrot, qendrat rinore, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të Komunave, lejohet të punojnë duke shfrytëzuar 30% të kapacitetit të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse, me kusht që publiku të jetë i ulur në karrige. Obligohet mbajtja e maskës dhe distancës fizike prej një metër në mes të personave.

Mbyllen fitneset, palestrat dhe institucione të tjera për shfrytëzim të publikut për aktivitete sportive dhe rekreative, me përjashtim të klubeve profesionale sportive.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë