Universiteti i Prishtinës shkel ligjin e vet, duke ua lejuar studentëve që të paraqesin një provim më shumë se 3 herë, pavarësisht se me statut nuk lejohet më shumë se kaq.
Programi online SEMS i UP-së, ku bëjnë pjesë të dhënat online të studentit, siç janë paraqitja e provimeve, notimi etj, nuk e detekton paraqitjen e provimit që mund të jetë bërë mbi tri herë.
Vetë stafi i Universitetit ia ka prezantuar KTV-së së paku dy raste kur studentët, identiteti i të cilëve është mbrojtur, kanë paraqitur të njëjtin provim njëri 5 dhe tjetri 12 herë.
Studentët e anketuar e pranojnë se u ka ndodhur që një provim e kanë paraqitur më shumë se 3 herë, por nuk ua ka ndaluar askush.
Drejtues të Universitetit pranojnë se rastet e tilla kanë qenë të shumta, por nga ky vit akademik, do të ndalohen këto dukuri.
Sipas Sekretarit të UP-së Esat Kelmendi perfeksionimi i programit SEMS, do të sjellë rregull nëpër të gjitha departamentet.