Loading…

Sindikata e RTK’së reagojnë për ‘kërcënimet dhe shantazhin’ e drejtorit të ri ndaj punëtorëve

  • 29/06/2022 | 16:29

Sindikata e RTK’së reagojnë për ‘kërcënimet dhe shantazhin’ e drejtorit të ri ndaj punëtorëve

Me përzgjedhjen e drejtorit të ri të Radio Televizionit të Kosovës, Shkumbin Ahmetxhekaj kanë shpërthyer pakënaqësisë. Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës (SPRTK) po pretendon se drejtori aktual i RTK-së ka kërcënuar disa nga punëtorët e televizionit. Ky i fundit në letrën e tij drejtuar punëtorëve përmend një sërë problemesh që po ndodhin në televizion e se si duhen parandaluar.


Sipas tyre, letra e shkruar nga Ahmetaxhekaj drejtuar punëtorëve është për keqardhje.

SPRTK thotë se në pjesën dërmuese të letrës shpërfaqet urrejtje, kërcënim e shantazh.

“Letra të natyrës si kjo jemi mësuar të pranojmë nga paraardhësit e tij, por asnjëherë në ditët e para të mandatit të tyre”, thuhet mes tjerash në reagimin e Sindikatës.

Reagimi i plotë i SPRTK:

Të nderuar kolegë,

Është për keqardhje përmbajtja e letrës së sotme, nga i sapo zgjedhuri drejtor, drejtuar të punësuarve të RTK-së.

Në vend se në komunikimin e parë zyrtar në cilësinë e drejtorit me vartësit e tij të shpreh mirënjohje për punën e deritashme të tyre si dhe motivim dhe përkrahje për të ardhmën, ai pjesën dërmuese të letrës shpërfaq urrejtje, kërcënim e shantazh.

Letra të natyrës si kjo jemi mësuar të pranojmë nga paraardhësit e tij, por asnjëherë në ditët e para të mandatit të tyre.

Këto letra nuk na kanë zbrapsur atëherë e nuk do të na zbrapsin as tash nga rruga për të denoncuar e kundërshtuar cdo veprim të paligjshëm, jo etik e të dëmshëm për RTK dhe të punësuarit e saj.

Madje falë këtij angazhimi parimor e të paparë në jetën institucionale në vendin tonë ky person së bashku me ata që e kanë zgjedhur janë në pozitat e tanishme.

Ky që tani kërcënon e shantazhon nga ulësja e drejtorit, në kohërat kur ishte pothuajse e pamundur të thuhej e vërteta për RTK-në nuk ndihej i gjallë. Derisa ne denonconim publikisht dhe në gjykata e institucione të tjera paligjshmëritë e censurën në RTK, ky e sfidonte vetën në mediat konkurente, duke e lënë RTK-në dhe duke kthyer përsëri si n’bashqe t’babës.

Kolegë të nderuar,

RTK është shtëpi e jona dhe nuk kemi me leju askush që në shtëpinë tonë të kërcënojë e të ndihet i kërcënuar. Kemi me vazhdu t’bëjmë dhe t’i përkrahim punët e mira, e sa për drejtora e borde mos u mërzitini fort se ata vinë e shkojnë.

Me respekt,
Fadil B.Hoxha
Kryetar i SPRTK-së.

Ndërkohë, Ahmetxhekaj në letrën e tij të parë drejtuar punonjësve si drejtor i ri, ka theksuar disa nga problemet me të cilat sipas tij po ballafaqohet RTK.

Mes tjerash përmend stafin e mbi ngarkuar, disa punëtorë që nuk po i kryejnë siç duhet detyrat e tyre. Thekson po ashtu se si 9 punëtorëve i është shkëputur kontrata, për shkak se kishin abuzuar me vendin e punës.

Letra e plotë e Ahmetxhekajt:

Të nderuar kolegë,

Fillimisht, dua ta falënderoj secilin për urimin, mbështetjen dhe inkurajimin që ma keni dhënë që nga data 20 qershor, kur Bordi i RTK-së ma besoi detyrën e udhëheqjes së shtëpisë sonë të përbashkët për 3 vitet e ardhshme.

Jam i vetëdijshëm për sfidat enorme të cilat na presin gjatë ditëve dhe muajve në vazhdim, por jam thellë i bindur se me angazhimin e përbashkët, RTK-në do ta fuqizojmë si lider medial që do të jetë adresë e lajmeve të verifikuara, programit të shumëllojshëm dhe llogaridhënies.

Gjatë 5 muajve të fundit sa kam udhëhequr RTK-në në cilësinë e ushtruesit të detyrës se drejtorit të përgjithshëm, bashkë me ekipin, kemi arritur që ta evitojmë thellimin e krizës financiare dhe t’i vendosim bazat për transparencë të plotë, llogaridhënie dhe normalizim në departamentin e informacionit.

Shumë projekte që tashmë kanë nisur do të përfundohen së shpejti, por konsideroj se më e rëndësishmja është se imazhi i RTK-së ka nisur të riformësohet. Në kohë rekord, kemi arritur të realizojmë gala koncertin ‘Thirrje për Paqe’ dëshmi kjo e përkushtimit dhe profesionalizmit të stafit të RTK-së që e ideuan dhe realizuan atë.

Pavarësisht se kemi 239 veta më pak në staf sesa kishim më 31 dhjetor 2021, RTK1, RTK2 dhe Radio Kosova 1 e 2, kanë nisur me skemën e re programore. Në RTK1 tashmë janë 6 emisione të reja dhe jo vetëm. Ndërkaq, ndryshimet në portal dhe mediat sociale janë evidente pas masave të ndërmarra.

Ju siguroj se periudha e censurës, propagandës, e selektivitetit dhe e ndëshkimeve në baza personale në RTK ka përfunduar. Të gjithë e keni rastin që ta dëshmoni veten dhe ta zini vendin e merituar, qoftë në program apo pozita të tjera, në bazë të meritokracisë.

Pavarësisht kënaqshmërisë me performancën e udhëheqësve të departamenteve e njësive që kanë marr detyrën gjatë mandatit tim si ushtrues detyre, është përcaktim i përbashkët edhe me anëtarët e tjerë të menaxhmentit që për të gjitha këto pozita të ketë konkurs, ku presim garë idesh e projektesh sesi ta zhvillojmë transmetuesin publik në hap me zhvillimet e fundit teknologjike e profesionale.

Siç edhe mund ta dini, në konkursin për Drejtor të Përgjithshëm është kërkuar hartimi i strategjisë zhvillimore. Ajo çfarë kam prezantuar para Bordit të RTK-së, përmban nevojën për reformë të thellë strukturore e programore.

Reforma strukturore/organizative do të jetë një ndër prioritetet afatshkurtëra, e që do të sjellë ndryshime të mëdha në organogramin kaotik që e ka transmetuesi publik.

Shumë departamente janë të mbingarkuara me staf, ku sipas raporteve të kërkuara, disa punëtorë aktualë nuk përmbushin normën dhe detyrat e punës. Gjatë kësaj periudhe jemi detyruar t’i shkëpusim kontratat e 9 punëtorëve, të cilët në vazhdimësi kanë abuzuar me vendin e tyre të punës. Kjo dëshmon seriozitetin për kthimin e ligjshmërisë.

Është qëllim i imi që krahas përpjekjeve për zgjidhjen e çështjes së pronës dhe financimit të qëndrueshëm, të bëjmë vlerësim real të angazhimit të secilit punëtor dhe të pozitave ekzistuese.

Në kuadër të ristrukturimit të RTK-së, disa pozita mund të shuhen e disa të reja të formohen, porse është përcaktim i qartë që në RTK do të ketë punë, angazhim e në fund vlerësim të drejtë të performancës. Do të kërkoj nga drejtorët programorë dhe udhëheqësit e njësive që ta monitorojnë në mënyrë strikte procesin e vlerësimit, i cili do të jetë bazë për avancime e degradime.

Bashkë me Bordin, kemi përgatitur kërkesën për buxhet shtesë nga Kuvendi i Kosovës, i cili në pjesën më të madhe do të përdoret për investime kapitale, të cilat kanë munguar për vite të tëra në RTK.

Krahas privilegjit që jemi pjesë e transmetuesit publik, ne jemi të kufizuar në deklarime publike që mund të dëmtojnë imazhin dhe paanshmërinë e RTK-së, prandaj kërkoj nga ju që t’i lexoni dhe t’ju përmbaheni Standardeve Profesionale dhe Rregulloreve të RTK-së. Shkelësit, kushdo qofshin ata, do të përballen me masa disiplinore.

Kjo, nuk i ndalon sinjalizuesit që të raportojnë për dyshimet në punën time dhe ekipit porse është e patolerueshme që punëtorët e RTK-së të shfaqin publikisht qëndrime politike, të shpërndajnë lajme të rreme të pseudo-portaleve apo të mos respektojnë kontratat e tyre të punës.

Mbes me shpresë se në këtë rrugëtim të përbashkët, do të angazhoheni maksimalisht që ta betonojmë një periudhë të re shprese dhe t’i kthehemi me tërë qenien tonë, publikut.

Bordi i Drejtorëve të RTK-së me 20 qershor zgjodhi Shkumbin Ahmetxhekajn në krye të Radio Televizionit të Kosovës për një mandat tre vjeçar me 8 vota për, 1 abstenim dhe asnjë votë kundër.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë