Një ngjarje shumë e rëndë ka ndodhur mëngjesin e ditës së sotme në lagjen e Pajtimit në komunën e Shtimes, aty një person është vrarë dhe një person ka mbetur i plagosur nga hajnat, shkruan Gazeta Metro.
4 plaçkitës të armatosur kanë tentuar të hyjnë me forcë në shtëpinë e mërgimtarit i cili sapo kishte ardhur nga Zvicra për pushime në Kosovë.
Policia e Kosovës ka treguar se plaçkitësit kanë hyrë në shtëpinë e mërgimtarit ku edhe e kanë plagosur atë në këmbë, madje rastin për Metron e ka konfirmuar majori Mehmetali Hajdini nga Stacioni i Policisë në Ferizaj.
“ Po dyshojmë që qëllimi i tyre ka qenë grabitja, për shkak se i njëjti, pronari i shtëpisë dje ka ardhur prej Zvicrës dhe ka qenë i vetëm në shtëpi. Pronari i ka parë të dyshuarit, dhe njëri prej të dyshuarve ka nxjerrë revolen dhe e ka plagosur pronarin e shtëpisë në këmbë”, tha Hajdini.
Pas kësaj plagosje, vëllai ka dëgjuar krismat në oborr dhe i ka ardhur në ndihmë vëllait ku edhe e kanë zënë njërin nga plaçkitësit dhe e kanë vrarë.
“Pastaj, shkrepjen e ka dëgjuar edhe vëllai i pronarit i cili jeton në një oborr por në tjetër shtëpi, kanë dalë me vëllain e tij dhe kanë shkuar pas grabitësve dhe njërin prej të dyshuarve e kanë zënë në rrugë dhe e kanë goditur me mjete të forta, ku nga plagët i njëjti ka ndërruar jetë”, tha ai.
Metro në vijim do të sjellë të gjitha të reja në lidhje me këtë rast të rëndë që ka ndodhur në Shtime./gazetametro.net