Demokracia në Veprim e cila po monitoron zgjedhjet e raundit të dytë për kryetar të komunës së Drenasit ka evidentuar disa parregullësi.
Njëra ndër to është krijimi i kushteve për personat me aftësi të kufizuar, të cilëve nuk është krijuar hapësirë dhe mundësi votimi.
Një rast sipas DnV-së është shënuar në qendrën e votimit 0321E, në Kishnarekë në shkollën “7 Marsi”, ku votimi po zhvillohet vetëm në katin e dytë duke pamundësuar votimin për persona me aftësi të kufizuar.
Po ashtu në qendrën e votimit në Krajkovë si dhe në Arllat, nuk ka kushte për votim për persona me aftësi të kufizuar.
Një parregullësi tjetër që ka evidentuar DnV, është edhe tek vendvotimi 0317E/04D në Llapushnik në shkollën “Hasan Prishtina”, ku mungon zarfi për fletëvotime të pavlefshme, ndërsa, në vendvotimin 0306E/02R në Tërstenik, raportohet për jokompetencë të kryesuesit të vendvotimit në kryerjen e detyrës.
Parregullësi tjetër sipas DnV-së është edhe prezenca e Policisë, në qendra të votimit. Thonë se nuk raportohet për incidente, megjithatë prezenca e policisë në vendvotime është e ndaluar nëse nuk ftohen nga menaxheri i qendrës së votimit.
Në Tërstenik, dy persona të paautorizuar janë parë në qendrën e votimit të cilët po i orientojnë votuesit. Ndërsa në afërsi të shkollës “Luigj Gurakuqi” në Stankoc, është raportuar për persona të cilët janë parë duke orientuar votuesit.
Është një tjetër parregullësi që ka evidentuar DnV, ku thotë se vëzhguesit partiak pengojnë komisionerët.
“Në shkollën “Xhevë Lladrovci” në Gllanasellë, vëzhguesit e PDK-së, po asistojnë komisionarët me listën e votuesve. Vëzhguesit në këtë qendër nuk kanë pamje të qartë të procesit të votimit”, thuhet në njoftimin e DnV-së.
Ndërsa në vendvotimin 0321E/01R, në Kishnarekë në shkollën “7 Marsi”, një person ka asistuar dy familjarë për të votuar, ndërsa është ndaluar të asistoj familjarin e tretë. Vlen të theksohet se familjari i tretë edhe pse është nënshkruar në listë të votuesve në shenjë pakënaqësie nuk ka votuar.
DnV thotë ndër të tjera që në 72 vendvotime sa janë gjithsej janë 346 komisionerë, prej tyre 279 burra (80.64%) dhe 67 gra (19.36% gra).
Ndërsa sa i përket daljes së votuesve deri në ora 10:00 është 2,360 votues (përfshirë ata me kusht) apo shprehur në përqindje 4.49%./gazetametro.net