Loading…

Shuma e madhe e parave që familja Rugova i përfiton nga shteti i Kosovës

  • 04/12/2018 | 16:57

Shuma e madhe e parave që familja Rugova i përfiton nga shteti i Kosovës

57 mijë euro për 12 punonjës të rezidencës Rugova dhe peleti i paguar për gjithë sezonin dimëror në vlerë të 9 mijë e 500 eurove. Këto kanë qenë vetëm disa nga përfitimet e familjes Rugova deri më tani nga shteti i Kosovës.


Ditë me fat ka qenë edhe e marta për familjen e ish-presidentit Ibrahim Rugovës. Bashkëshortja e tij Fanë Rugova është propozuar që të marrë pagë mujore; përveç pagës, ajo pritet të ketë edhe një veturë personale dhe vozitës, shkruan Insajderi.

Sipas propozimit të kryeministrit, Fana Rugova do të përfitojë nga shteti shumën prej 1  mijë eurove në muaj. Gjithashtu sipas publikimit të ditës së sotme, Fana do të ketë shofer dhe veturën personale të saj.

“Shqyrtimi i Propozim-vendimit që znj. Fana Rugova, bashkëshorte e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, t’i lejohet transfer i mjeteve financiare në muaj në vlerë prej 1 mijë euro neto, automjet dhe një drejtues automjeti”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Përfitimi i familjes Rugova, nga shteti ishte shtuar në vazhdimësi nga shteti i Kosovës. Sapo koha kishte filluar të ftohet, familjes Rugova i ishte paguar peleti për ngrohje.

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit kishte paguar 9 mijë e 500 euro për ngrohjen e familjes Rugova.

“MKRS kishte nënshkruar kontratë në vlerë 9,560€ për ‘Furnizim me lëndë djegëse-pelet për Rezidencën Ibrahim Rugova’. Malli dhe fatura janë pranuar në vlerë totale, mirëpo në mungesë të mjeteve ishin paguar vetëm 1,510 euro”, thuhet në raportin e auditimit për MKRS-në.

Rezidencës së familjes Rugova janë shtuar këtë vit, përfitimet nga shteti për dallim nga viti i kaluar. Këtë vit 57 mijë e 944 euro ishin ndarë nga Ministria e Kulturës për Rezidencën Rugova që gjendet në lagjen ‘Velania’ në Prishtinë.

Paratë janë dhënë me arsyetimin e pagesës së “punonjësve me kontrata për shërbime të veçanta” në këtë rezidencë.

Në tetor të vitit të kaluar, gjithashtu me kërkesë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Qeveria kishte ndarë 27,857 euro për pagesën e punonjësve për “shërbime të veçanta” në të njëjtën rezidencë.

Ministri i Financave, Bedri Hamza thoshte se “e kemi obligim” për t’i ndarë këto mjete dhe se kjo shumë e parave ndahet nga rezervat e shtetit dhe pagesa bëhet përmes MKRS-së.

Familja Rugova vazhdon të ketë të ardhura të majme edhe përmes vajzës deputete, Teuta Rugova. Ndonëse është mjaft pak aktive në seancat e Kuvendit të Kosovës, ajo merr më shumë se 21 mijë euro pagë vjetore nga Kuvendi i Kosovës. Të paktën kështu deklarohet në raportin e plotësuar  në Agjencinë Kundër Korrupsionit të vitit të kaluar.

Familja Rugova po ashtu në pronësi të saj ka edhe një banesë të përbashkët me 68 metra katror. Ndërkohë që kjo familje vazhdon të ketë në pronësi edhe një veturë në vlerë të 25 mijë eurove.

Anëtari i familjes Rugova që ‘mashtroi’ qytetarët në mungesë të vizave

Kur kosovarët vazhdojnë të mbesin të izoluar të paktën deri në vitin 2020, kishte qenë pikërisht Uka  djali i Ibrahim Rugovës që e kishte shfrytëzuar këtë rast.

Një hetim ndërkombëtar prej 26 muajsh kishte zbuluar se djali i presidentit Ibrahim Rugova, Uka, dyshohet se është i përfshirë në veprat më të rënda kriminale.

Ai, pos biznesit të paligjshëm me viza, dyshohet se ka lidhje me trafikim ndërkombëtar të drogës dhe armëve. Dosjen komplet të këtij hetimi, përfshirë përgjimet telefonike e kishte siguruar Insajderi teksa ishin publikuar hulumtimi i emëruar “Dosja Grande”.

Kishte qenë viti 2009 Ibrahim Rugova po bënte tri vjet që kishte vdekur. Atë vit Uka, djali i vogël, ishte kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kishte marrë përsipër lidershipin në familje.

Anëtarët e familjes po përballeshin me një problem të madh. Familja presidenciale gjithmonë kishte pasur viza për të lëvizur lirshëm jashtë shtetit. Por, tri vite pas vdekjes së presidentit kishin ndikuar që familjes t’i humbnin kontaktet dhe vizat mungonin. Për këtë çështje ndaj njëzetë vetave ishte ngritur aktakuzë nga EULEX-i.

Anëtarët e grupit të udhëhequr nga Ukë Rugova akuzohen se me qëllim të përfitimit material në mënyrë të paligjshme kanë furnizuar  individë me Viza Shengen të BE-së nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

Gjatë ditës së djeshme Komisionari, Johannes Hahn ka deklaruar në Prishtinë se gjasat që kosovarët t’i marrin viza këtë vinë janë minimale. Ka thënë se për vizat mund të liberalizohen për kosovarët gjatë vitit 2020.

Ndërkohë që gjatë ditës së sotme Tanja Fajon, deputete Parlamentit Europian dhe raportuese për vizat në këtë institucion ka konfirmuar se Austria, si kryesuese e BE-së, nuk do ta fusë në rend të ditës votimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë