Seanca gjyqësore ndaj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje ishte paraparë që të mbahej sot. Por, kjo seancë është shtyer për 20 shkurt të vitit 2017, pasi që munguan dy nga deputetët e akuzuar.
Në këtë seancë ka munguar deputeti Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu, të cilët, sipas trupit gjykues, gjenden në udhëtim zyrtar.
Deputetët Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Faton Topalli akuzohen për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Për të dëshmuar në këtë rast si palë të dëmtuar ka qenë deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.
Ndërsa për deputeten tjetër të Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, gjyqtari ka thënë se do të lëshojë urdhëresë për sjellje të saj me detyrim për të dëshmuar në këtë seancë gjyqësore.
Të pranishëm në këtë seancë ishin deputetja Donika Kadaj-Bujupi dhe Faton Topalli. Mirëpo, i pranishëm në këtë shqyrtim gjyqësor nuk ishte avokati mbrojtës i Faton Topallit, Haxhi Millaku./gazetametro.net/