I gjithë investimi për aparaturat në qendrat shëndetësore publike mund të shtyhet përtej premtimeve që janë dhënë nga qeveritarët. Kjo pasi që Qeveria aktuale synon ta zhbëjë planin e Qeverisë së kaluar që parashikonte 50 milionë euro investime për aparatura.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, dyshon se planifikimi i cili ka kaluar në Qeverinë paraprake nuk i paraqet nevojat reale, andaj thotë se ka iniciuar një analizë të re fizibiliteti, shkruan sot “Koha Ditore”.
Institucionet kosovare duhet të presin deri në vitin e ardhshëm për të parë rezultat e planit të ri të fizibilitetit, e më pas të presin edhe një kohë tjetër shtesë deri te realizimi i atij plani.
Investimi prej 50 milionë eurosh ishte parë si hapi i parë për të vënë në zbatim Ligjin për sigurime shëndetësore. Mjekët dhe menaxherët shëndetësorë kishin deklaruar se pa këtë investim spitalet publike nuk do të mundnin të hynin në skemën e sigurimeve pa ua plotësuar Qeveria e Kosovës kushtet.