Loading…

Shtrejtimi i rrymës, Ymeri: Rritja më doli 161,8%

  • 27/01/2022 | 13:33

Shtrejtimi i rrymës, Ymeri: Rritja më doli 161,8%

Analisti politik, Visar Ymeri, ka thënë se ka pranuar faturën energjetike për muajin janar dhe në bazë të kalkulimit të tij rritja është 161.8%, shkruan Gazeta Metro.


Për këtë temë, Ymeri ka shtruar edhe disa pyetje lidhur me rrjedhën e mëtutjeshmë të kësaj gjendjeje.

Ymeri ka thënë se pajtohet me Qeverinë se rryma duhet të kursehet por nëse dikush nxehet me energji elektrike dhe jo me ngrohje qëndrore atëherë me çka të ngrohen?

Këtu keni statusin e tij të plotë.

“RRITJA REALE MË DOLI 161,8%

Fatura e energjisë elektrike për muajin janar është shpërndarë dje (në kompleksin banesor ku banoj). Për këtë muaj kisha shpenzuar 1543 kËh në tarifën e shtrenjtë A1, dhe 1024 kËh në tarifën e lirë (të natës) A2. Vlera e kësaj fature mujore është 146.32 euro, në të cilën përfshihet edhe TVSh (10.80 euro) si dhe tarifa fikse (1.74 euro).

Kur e kalkulon të njëjtin shpenzim me tarifat e propozuara nga ZRrEE, vlera e faturës mbërrin në 383.06 euro. Kjo pastaj zbret në 266.61 euro pas aplikimit të subvencionit të vënë në dispozicion nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Pra fatura që sot kushton 146.32 euro do të kushtojë 383.06 euro pas 1 shkurtit, nëse propozimi për tarifa shndërrohet në vendim. Dallimi është 236.74 euro apo shprehur në përqindje rritja është 161.8 %.

Është e vërtetë që subvencioni e ul ndjeshëm koston e faturës. Por të mos harrojmë se subvencioni po ashtu paguhet nga ne, tatimpaguesit. Për me tepër këto tarifa, nëse vendosen, do të mbeten të njëjta deri në prill të vitit 2023. Pra do t’i mbulojnë muajt e mbetur të dimrit dhe të krizës energjetike, muajt e pranverës dhe verës, e më me rëndësi, muajt e dimrit 2022-2023. A do të vazhdojë edhe subvencionimi në secilën prej këtyre periudhave? Apo në dimrin 2022-2023 do a paguajmë shtrenjtimin drejtpërdrejt e jo të ndërmjetësuar përmes buxhetit? Dhe a do të jetë i njëjti çmim i shtrenjtë i importit siç është sot edhe atëherë? Dhe a do të kemi prapë probleme me gjenerim atëherë siç kemi sot? Me një fjalë tarifat e energjisë po shtrenjtohen për t’u ballafaquar me krizën energjetike e atë të gjenerimit që e kemi sot, dhe po shtrihen, artificialisht, të njëjtat rrethana për një periudhë shumë më të gjatë, kur nuk pritet me i pas të njëjtat rrethana në sistemin e furnizimit me energji elektrike.

Tash Qeveria disa herë na ka këshilluar që ta kursejmë energjinë. Dhe këtu u jap të drejtë. Duhet të kursejmë. Unë ngrohem me energji elektrike. Nuk jemi të lidhur në rrjetin e Ngrohjes Qendrore. Atëherë me çka të ngrohemi? Me djegie druri? Nëse e paramendojmë njëherë që secili që ngrohet me rrymë të kalojë në dru. Ose thëngjill. Çka do të ndodhte me çmimin e drurit? Po të thëngjillit? Po me mjedisin? A nuk do të shkatërroheshin pyjet kështu? Po ajri, edhe ashtu i ndotur, a nuk do të mbingarkohej me djegien e thëngjillit?

Por mund të ngrohemi më pak. Dakord. Ta zëmë se 1/3 e konsumit edhe teprim i panevojshëm. Nëse në vend të 1543 kËh në tarifë të shtrenjtë shpenzoj 1028 kËh dhe në vend të 1024 kËh shpenzoj vetëm 682 kËh, prapë çmimi është shumë i lartë. Kështu do të paguaja 233.03 euro e cila aktualisht për shkak të subvencionit do të zbritej në 165.99 euro. Prapë s’kam llogari qysh po ma qet kalkulatori”, ka shkruar Ymeri në llogarinë e tij në Facebook. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë