Emisari i BE’së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, shpjegoi se kanë paraqitur një propozim me tre elemente për ndalimin e kësaj krize të tanishme në veri të Kosovës, transmeton Gazeta Metro.
Pas dy orë takim në fund diplomatët dolën dhe shpjeguan se e kanë dorëzuar propozimin e tyre por refuzuan ta tregojnë nëse kryeministri Albin Kurti e ka pranuar me shpjegimin jo fort bindës se janë në fillim të misionit.
Lajçak ka treguar se Kurtit i janë paraqitur tri kërkesa.
“E para është shtensionimi, e dyta zgjedhje të shpejta në veri dhe e treta rikthimi në dialogun për normalizim. Misioni ynë vetëm sa ka nisur.” – u shpreh Lajçak para medieve.
“Është në interes të Kosovës dhe të gjithëve që të kemi kryetarë legjitimë…Mund t’ju them se shtetet anëtare po presin raportin tonë.” – shtoi Lajçak.
Të pyetur se a i ka pranuar Kurti propozimet e tyre, të dy thanë se janë në “fillim të misionit të tyre”, e cila do të zgjasë dy ditë.
I pyetur se çfarë kërkon aktualisht SHBA-ja nga Kurti, Escobar ka thënë se kryeministrit të Kosovës i janë dhënë shumë porosi.
“Ne e kemi porositur atë që t’i tërheqë kryetarët nga ndërtesat komunale, që t’i largojë zyrtarët policorë nga ndërtesat, dhe që më pas, me urgjencë, të nisin diskutimet për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.