Qindra migrantë shqiptarë të cilët kanë dashur të hyjnë në Britaninë e Madhe kanë gjetur një mënyrë shokuese për ta bërë këtë. Ata janë paraqitur si fëmijë të vetmuar refugjatë duke gënjyer për moshën e tyre.
Në disa dokumente të siguruara nga gazeta Mail on Sunday, autoritetet kanë konstatuar se shqiptarët të cilët janë futur ilegalisht në Britani kanë gënjyer se janë fëmijë refugjatë, duke vënë në rrezik nxënësit e tjerë brenda shkollave dhe gjithashtu familjet të cilat i birësojnë ata.
Duke qenë se ligji anglez u jep të drejtë refugjatëve të mitur për regjistrim në shkollë, familje birësuese dhe mbështetje deri në moshën 25 vjeçare, rreth 500 shqiptarë kanë provuar ta shfrytëzojnë këtë të drejtë vetëm vitin e kaluar, por gati gjysma e tyre ishin refuzuar nga autoritetet.
Momentalisht janë 433 persona që pretendojnë të jenë fëmijë refugjatë dhe që jetojnë në Britani, 214 prej tyre janë shqiptarë dhe vetëm 11 sirianë.
Dokumentet vënë në pah shumë raste kur arsimtarët janë detyruar të marrin masa ndëshkuese ndaj azilantëve për shkak të sjelljeve të kqëija. Ata dyshohen se janë të rritur dhe nuk janë në moshë për të qenë nxënës të shkollave, ndërkohë që një raport tjetër thotë se shqiptarët janë grupi me tendencat më të mëdha për kryerjen e akteve kriminale si vjedhje dhe ofendime.
Ka edhe raste kur ata janë larguar nga familjet birësuese për shkak të “sjelljeve ndaj punëtoreve sociale të gjinisë femërore” nga të birësuarit meshkuj.
Në pesë vitet e kaluara, 115 nga 218 shqiptarëve të intervistuar u është refuzuar kërkesa për azil për shkak se ishin cilësuar si më të moshuar se 18 vjet.
Këto zhvillime shokuese vijnë disa javë pas thirrjeve për futjen e analizave të dhëmbëve për ta përcaktuar moshën e azilkërkuesve, pasi rreth 300 migrantë erdhën drejt Britanisë nga kampi Calais në Francë që u shkatërrua muajin e shkuar. /gazetametro.net