Loading…

Shqiptarët në Maqedoni refuzojnë ofertën e VMRO-DPMNE’së

  • 29/03/2017 | 19:42

Shqiptarët në Maqedoni refuzojnë ofertën e VMRO-DPMNE’së

Subjektet politike shqiptare e cilësojnë si të papranueshëm planin e VMRO-DPMNE për dalje nga kriza politike në të cilën është zhytur Maqedonia.


BDI e Ali Ahmetit hedh poshtë pretendimet e partisë së Nikola Gruevskit të ketë pasur përzierje nga shtetet e huaja në çështjet e brendshme të vendit, ndërkohë që i bëri thirrje VMRO-së që të pranojë rolin e saj si opozitë dhe zhbllokojë punën e kuvendit.

Artan Grubi, deputet i BDI-së, tha sot se në Maqedoni nuk ka pas asnjë ndërhyrje të vetme nga fqinjët, ndërsa deklarata e përbashkët e partive parlamentare shqiptare është produkt i dalë nga programet zgjedhore të këtyre partive dhe i përmbledhur në një dokument të vetëm të cilin e kanë paraqitur në negociata edhe me VMRO – DPMNE-në më herët, por edhe me LSDM-në më vonë.

“Sot jemi në rrethana ku VMRO-ja është opozitë, duhet të pranojë se është opozitë dhe t’i zhbllokojë proceset në Kuvendin e Maqedonisë që të mund të ecim përpara”, tha ai. Nga Lëvizja Besa theksuan se VMRO-DPMNE-ja si shkaktare e krizës politike nuk është e denjë të ofrojë strategji për zgjidhjen e saj, kurse  Aleanca për Shqiptarët vlerëson se oferta e Gruevskit synon ta izolojë vendin dhe cenon marrëdhëniet me fqinjët dhe faktorin ndërkombëtar. Ndryshe, VMRO-DPMNE një ditë më parë shpalosi planin për dalje nga kriza politike, e cila parashikon marrëveshje mes partive politike që të mos lejojnë më ndërhyrje të jashtme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të brendshme, përfshirë këtu edhe ndërhyrjen e ndërkombëtarëve dhe shteteve fqinje. VMRO-ja gjithashtu kërkon të qartësohet rëndësia e parimit “fituesi me fituesin” si dhe të theksohet qartë në ligj se kujt i takon posti i kryetarit të Kuvendit.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë