Në Maqedoni ende nuk shihen në sy të mirë të rinjtë shqiptarë, e posaçërisht kur bëhet fjalë për të qenë në radhët e njësiteve speciale ushtarake dhe policore.
Ky problem vazhdon të jetë i heshtur, edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtar, të cilët mbështesin nëpërmjet projekteve të ndryshme trajnimet dhe përforcimet teknike dhe logjistike të këtyre njësiteve të Armatës së Maqedonisë (ARM) dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).
Njësitet e ARM’së: “Ujqit” (Volci) nuk kanë asnjë shqiptarë, njësitet Renxherët” kanë një apo dy shqiptarë, njësitet “Shkorpionët” gjithashtu kanë apo nuk kanë shqiptarë, sepse të dhënat janë tejet diskrete dhe nuk bëhen publike nga ana e këtyre strukturave të sigurisë.
Edhe në pjesën e njësiteve policore duke filluar nga njësitet “Tigrat” apo të njohur si ESZ gjithashtu nuk ka shqiptarë dhe kjo është një nga forcat elite policore.
Kohë më parë, mediet maqedonase sollën rrëfimin e një kandidati shqiptar nga radhët e ARM’së që disa herë është rrëzuar, me qëllim të mospranimit të tij. Mungesa e besimit dhe injoranca e vazhdueshme ka lënë jashtë të rinjtë shqiptarë, të cilët nuk hezitojnë të jenë pjesë e këtyre formacioneve elite, por me një frymë krejtësisht tjetër.