Po ashtu shefat e xhamisë dyshohen se e kanë financuar ndërtimin e xhamisë me para të Ligës Botërore Islamike, një instrument i Arabisë Saudite për përhapjen e versionit radikal të islamit. Irfan Lika, president i komunitetit shqiptar mysliman, mohon se në xhaminë e tij prezantohen qëndrime radikale dhe se aty u ofrohet platformë islamistëve. Sipas tij trualli i xhamisë ka kushtuar 653 mijë franga dhe këto para janë siguruar nga banka dhe nga kapitali vetjak. Paratë rrjedhin nga Zvicra dhe pjesa më e madhe e donatorëve janë nga kantoni i Glarusit, ka thënë Lika. Supozimet se xhamia mund të jetë financuar nga fondacionet arabe apo turke janë demantuar nga ana e tij. Por gazeta zvicerane ngrit dyshime ndaj deklaratave të Irfan Likës. Shpenzimet për blerjen e truallit dhe për ndërtimin e xhamisë arrijnë në 2,5 milionë franga. Kjo i bie se 322 anëtarë të xhamisë në Netstal të kenë paguar mesatarisht nga 8 mijë franga secili për ndërtimin e xhamisë.
Akuzat se xhamia në Netsal mban lidhje me qarqe radikale janë ngritur nga Saïda Keller-Messahli, e cila nga mediat zvicerane rregullisht citohet si eksperte e radikalizmit islamik. Liga Botërore Islamike “pa dyshim” mban lidhje të strukturuara me disa organizata islamike në Zvicër, thotë Reinhard Schulze, profesor e shkencave islame në Universitetin e Bernës dhe autor i një vepre standarde shkencore mbi këtë temë. “Donacionet e Ligës Botërore dhe para të tjera që rrjedhin nga Arabia Saudite u jepen në mënyrë të privilegjuar xhamive dhe shoqatave, të cilat së paku e shohin pozitivisht traditën vahabiste”, thotë Schulze. Një rol të rëndësishëm në këto aktivitete e luan Organizata Europiane e Qendrave Islamike (EOIC), e cila ka për qëllim financimin e infrastrukturës myslimane dhe arsimimin dhe punësimin e imamëve në Europë. “Kjo organizatë qartë përkrahet nga Arabia Saudite”, thotë Schulze. Themelues dhe president i degës së Zvicrës të Organizatës Europiane të Qendrave Islamike është Ziane Mehadjri, një algjerian 49-vjeçar dhe imam vahabist. Anëtar i Organizatës Europiane të Qendrave Islamike është edhe imami shqiptar Nehat Ismaili, i cili drejton të ashtuquajturën «Xhami e Bardhë» në Aarburg në Zvicrën qendrore. Ismaili po ashtu në opinion njihet si shef i Unionit të Imamëve Shqiptarë të Zvicrës. Sipas “NZZ am Sonntag” nëpërmjet këtij unioni janë krijuar lidhjet me Ligën Botërore Islamike. «Unioni i imamëve shqiptarë ka ndikim në së paku 30 xhami në Zvicër”, thotë Saïda Keller-Messahli. Sipas saj në pothuaj të gjitha këto xhami propagandohet ide selafiste. Synimi është që besimtarët të binden për të mbajtur kursin e sheriatit, mendon Keller-Messahli.
Themeluesi dhe presidenti i degës së Zvicrës të Organizatës Europiane të Qendrave Islamike është Ziane Mehadjri së fundi është përjashtuar nga posti i imamit në një xhami në Gjenevë – “për arsye administrative”, siç thuhet. Xhamia Petit-Saconnex në Gjenevë konsiderohet qendër e islamistëve radikalë, dy imamë të saj dhe shefi i sigurisë nga shërbimi sekret francez janë klasifikuar si rrezik për sigurinë publike, ndërsa tre persona të afërt me këtë xhami kanë shkuar në xhihad në Lindjen e Afërt. Aktualisht të tre gjenden në paraburgim në Zvicrën franceze.
Në fund të tetorit Unioni i Imamëve Shqiptarë të Zvicrës njoftoi se «ambasadorja e Republikës së Kosovës në Bernë, Nazane Breca, e shoqëruar nga Fatmire Musliu, ministër-këshilltare në Ambasadë, në zyrat e Xhamisë së Bardhë në Aabrgurg zhvilluan një takim me kryetarin e Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër, Nehat Ismailin”. Më tutje në deklaratë thuhet se “ambasadorja Breca përshëndeti dhe përgëzoi punën dhe angazhimin e imamëve të cilët në kontinuitet dhe në linjën institucionale janë të organizuar për t’i kontribuuar integrimit të tyre në bashkësinë zvicerane”. Ndërsa ambasadorja, sipas komunikatës, kishte nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit “në shumë shtigje dhe sfera me përmbajtje të interesit kombëtar”, imami Ismaili në deklaratë nuk përmend interesat kombëtare, por thuhet se “e njoftoi ambasadoren” për «përkushtimin e imamëve në Zvicër dhe investimin e tyre në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave universale njerëzore”.
Pas akuzave të fundit në mediat zvicerane kundër imamëve shqiptarë për shkak të lidhjeve me eksponentë të krahut radikal islamik, mbetet të shihet nëse Ambasada e Kosovës në Bernë do të mbajë një qëndrim më kritik ndaj Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër, përfaqësuesit e të cilit publikisht flasin me gjuhë të moderuar, ndërsa mbajnë kontakte me Ligën Botërore Islamike, me Organizatën Europiane të Qendrave Islamike dhe me imamë vahabistë si Ziane Mehadjri. /DialogPlus.ch