Forcat e Armatosura të Shqipërisë nisën në operacionin e NATO “Resolute Support Mission” në Afganistan, kontingjentin e parë të Batalionit të Dytë të Këmbësorisë (b2k), i cili do të shërbejë në Herat, nën komandën e Forcave të Armatosura të Italisë.
Në ceremoninë e përcjelljes së kontingjentit shqiptar ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ambasadori i Republikës së Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneral brigade Dedë Prenga, deputeti Arben Çuko, komandantë forcash dhe familjarë të pjesëtarëve të këtij kontingjenti.
Në një njoftim zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë bëhet e ditur se ministrja Kodheli në fjalën e saj solli në vëmendje nisjen vetëm 5 ditë më parë të një kontingjenti të Policisë Ushtarake në Kabul të Afganistanit nën komandën turke dhe theksoi se nisja e kontingjentit të sotëm dyfishon pjesëmarrjen e Shqipërisë në “Resolute Support Mission”, raporton aa.
Kodheli përmendi shtimin e pjesëmarrjes në misionet e tjera jashtë vendit dhe, nga fillimi i vitit që vjen, pjesëmarrjen në një tjetër mision në Irak. Ajo vlerësoi shtimin e pjesëmarrjes në misionet ndërkombëtare, për të cilat tha se kanë qenë rezultat i angazhimeve që vendi ynë ka marrë si anëtar i NATO, ku siç tha ajo “Shqipëria ka një vend të respektueshëm, të njohur dhe me vlerësimet më pozitive.”
“Shqipëria mbetet shpresëplotë dhe e palëkundur të vijojë bashkëpunimin me Italinë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Një tjetër projekt i madh që jemi duke përfunduar me Forcat e Armatosura italiane, është dhurimi i armatimit model të NATO-s, që për vitin 2017, do të plotësojnë të gjitha nevojat e Forcave tona të Armatosura.” – theksoi ministrja Kodheli.
Kontingjenti i nisur sot është pjesë e kompanisë “Puma” të Forcës Tokësore dhe përbëhet nga 40 ushtarakë, mes të cilëve edhe 2 femra. Ky kontingjent do të shërbejë në Komandën e Trajnim – Këshillimit dhe Ndihmës në Herat të Afganistanit për një periudhë 6 – mujore, brenda fushës së përgjegjësisë italiane.