Loading…

Shqipëria dhe Kosova parandaluan sulmin terrorist në ndeshjen Shqipëri-Izrael?

  • 08/11/2016 | 20:29

Shqipëria dhe Kosova parandaluan sulmin terrorist në ndeshjen Shqipëri-Izrael?

Të shtunën e kaluar autoritetet në Shqipëri dhe ato në Kosovë arrestuan katër, respektivisht nëntë të dyshuar për lidhje me organizatën terroriste ISIS.

Katër të arrestuarit në Shqipëri, sipas burimeve brenda policisë të mediave në Tiranë, po planifikonin të kryenin sulm terrorist në ndeshjen futbollistike Shqipëri – Izrael, që do të zhvillohej në Shkodër, transmeton gazetametro.net.

Të dyshuarit, dy nga ta të lindur në Shkodër e dy në Dibër, vepronin brenda një rrjeti rajonal ku përfshihej Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Top Channel raporton të martën se sipas hetimeve, bëhet e ditur se të dyshuarit mbanin komunikim të vazhdueshëm me pjesëtarë të ISIS-it në Siri dhe planifikonin sulme në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Izraelit në Shkodër, ndeshje kjo e vlefshme për kualifikimet për Kampionatin Botëror të futbollit “Rusia 2018”.

Kjo bëri që Federata Shqiptare e Futbollit ta zhvendosë ndeshjen e së shtunës kundër Izraelit nga Shkodra në Elbasan.

Lidhur me këtë, agjencia e lajmeve AFP është interesuar nëse edhe grupi i nëntë të arrestuarve në Kosovë, dyshohet se ishte pjesë e përgatitjeve të ndonjë sulmi në ndeshjen futbollistike Shqipëri – Izrael.

Prokuroria e Republikës së Kosovës i ka thënë AFP-së se grupi po planifikonte “sulme në ndërtesa dhe institucione vitale të Kosovës”, por deri tani nuk kanë informacione se ata po planifikonin edhe ndonjë sulm në Shqipëri.

Gjatë operacionit të së shtunës, nëntë persona ishin arrestuar në territorin e Kosovës si pjesë e aksionit që vuri në pranga të katër të dyshuarit në Shqipëri.

Sipas autoriteteve, nga viti 2012 deri më 2014, rreth 120 shqiptarë iu bashkuan ISIS-it dhe 15 prej tyre humbën jetën në Siri ose Irak. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë