Loading…

Shqipëri, prokurori thotë se u kërcënua nga ambasadori amerikan

  • 02/02/2017 | 15:40

Shqipëri, prokurori thotë se u kërcënua nga ambasadori amerikan

Ka reaguar fort Prokurori i Përgjithshëm pas akuzave të ambasadorit amerikan Donald Lu se kryeprokurori ka qenë kundër reformës në drejtësi dhe ka ndërmarrë veprime antikushtetuese.

Në një reagim publik, kryeprokurori Llalla i quajti akuzat e ambasadorit Lu si aspak diplomatike, por tentativa të vazhdueshme për të shantazhuar institucionin e prokurorisë për interesa tërësisht personale.

Në reagim thuhet se kryeprokurorit iu refuzua viza amerikane vetëm për shkak të një letre që ai u ka dërguar institucioneve shtetërore, me anë të së cilës i ka vënë në dijeni për disa praktika shantazhuese të ambasadorit.

Po kështu, prokurori i përgjithshëm deklaron publikisht se akuzat e ambasasdorit janë të lidhura me hetimet që po kryen prokuroria ndaj disa politikanëve që kanë mbështetjen e ambasadorit dhe ndaj disa deputetëve që ambasadori u ka kërkuar votën edhe me anë të shantazhit për reformën në drejtësi, të cilët dyshohet se preken nga ligji për dekriminalizimin.


Deklarata e Prokurorisë së Përgjithshme:

Prokuroria e Përgjithshme është gjendur ditën e sotme në një sulm të hapur dhe të paprecedent nga ambasadori aktual në Tiranë, z. Donald Lu, lidhur me qëndrimet e institucionet përsa sa i përket Reformës në Drejtësi dhe kandidaturave për anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Dëshirojmë të njoftojmë median dhe, nëpërmjet Jush, edhe opinionin publik shqiptar se, këto sulme tërësisht jo-diplomatike nuk janë aspak të reja për institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Sa i përket Reformës në Drejtësi, Prokuroria e Përgjithshme dhe prokurorët kanë mbështetur që në fillimet e saj nevojën për reformim. Në qëndrimet zyrtare dhe publike, Prokuroria ka identifikuar problematika në draftet kushtetuese dhe ligjore, për të cilat ka shprehur qëndrimet e saj parimore dhe në frymën e së drejtës. Duhet theksuar se këto qëndrime kanë gjetur mbështetjen e plotë në Opinionin e Komisionit të Venecias, i cili, siç dihet tashmë, ka rrëzuar një pjesë të konsiderueshme të drafteve të propozuar nga ekspertët e huaj, të mbështetur publikisht nga Ambasadori Lu.

Sa i përket procedurës së kandidimit të anëtarëve për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, ftojmë zotin Lu dhe ekspertët e tij të rilexojnë ligjin përkatës mbi kriteret e anëtarëve të këtij institucioni. Është shumë e rëndësishme që ambasadori Lu të lexoj variantin zyrtar, si në shqip, ashtu edhe në anglisht.

Prokuroria e Përgjithshme i bën të qartë zotit Lu se, nëse është mësuar të jetë zot në ambientet e politikës shqiptare, këtë nuk mund ta realizojë me institucionin e Prokurorisë.

Për fat të keq, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka shumë paqartësi brenda, të cilat kanë shkaktuar kaos institucional të papranueshëm, raporton lapsi.al, transmeton gazetametro.net.

Zoti Lu mendon se ka në dorën e tij fatin e Prokurorisë kur shantazhon institucionin për mbyllje hetimesh apo me heqje vizash. Duhet ta ketë të qartë ai dhe kushdo tjetër që, për të përmbushur detyrimet kushtetuese dhe ligjore, prokurorët e Republikës nuk kanë nevojë për viza.

Këto presione të Ambasadorit Amerikan në Tiranë janë tipike sorosiane, të cilat kërkojnë të manipulojnë opinionin publik dhe të zhvlerësojnë institucionet.

Ky reagim i Ambasadori Amerikan në Tiranë, Donald Lu, vjen menjëherë pasi Prokuroria e Përgjithshme njoftoi zyrtarisht krerët më të lartë të shtetit shqiptar, Presidentin e Republikës dhe Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, mbi presionet dhe shantazhet e vazhdueshme të ambasadorit Lu kundrejt institucionit.

Duke kërkuar mirëkuptimin Tuaj për kohën, dëshirojmë t’Ju prezantojmë letrën e plotë që u është dërguar autoriteteve më të larta shtetërore shqiptare për veprimet jo-diplomatike të Ambasadorit Lu. /gazetametro.net.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë