Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Etem Arifi nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim është liruar nga burgu në fund të vitit të kaluar. Ai sot është pritur në zyre nga kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
Një votë ‘për’ Qeverinë Hoti e Etem Arifit në Parlamentin e Kosovës kishte bërë që të rrëzohet qeveria.
Gjykata Kushtetuese i kishte kërkuar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit që të shpallë zgjedhjet e reja brenda 40 ditëve, pasi kishte gjetur shkelje kur kishte votuar deputeti i cili ishte i dënuar me burgim.
Kërkesa ishte parashtruar pranë Gjykatës Kushtetuese nga 17 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje mbi kushtetutshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi.
Sipas vendimit të Gjykatës, Arifi ishte dënuar nga Gjykata e Apelit, me një vit e tre muaj burgim për keqpërdorim të 27 mijë euro subvencion të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Pavarësisht këtij dënimi, më 6 tetor 2019, kur u mbajtën zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, ai kandidoi dhe u zgjodh deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës e krijoi qeverinë e re pas rrëzimit të qeverisë Kurti me një mocion mosbesimi.
Komuna e Podujevës, sot ka njoftuar se “Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka pritur në takim nënkryetarin e kuvendit të Kosovës, Bekim Arifi, ku diskutuan për shumë çështje, por tema kyqe ishte përfshirja në vende pune e Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve në institucione të nivelit komunal, si ato të arsimit, shëndetësisë dhe administratës komunale”.
Sipas njoftimit të komunës, në këtë takim ishin të pranishëm edhe ish-deputeti nga radhët e komunitetit pakicë, Etem Arifi, përfaqësues të komunitetit në Podujevë dhe udhëheqësi i zyrës për komunitete në komunën e Podujevës.
Ky lajme nuk është postuar në rrjetin social facebook si rëndom nga komuna, por është plasuar vetëm në uebin komunal.
Ndryshe, ish-deputeti Etem Arifi ishte liruar nga burgu në shtator të vitit të kaluar, pasi kishte vuajtur dënimin disa mujor me burg. Ai ishte liruar më kusht.
I akuzuari tjetër në këtë rast Bajram Gashi, që ishte anëtar në këtë parti po ashtu është dënuar me 1 vjet burim.
“Në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në ndalim nga data 01.07.2014 e deri më 03.07.2014 dhe në paraburgim nga data 02.06.2016 e deri me 27.07.2016 dhe arrest shtepiak prej datës 27.07.2016 deri me 27.06.2017”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.