Sot nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, u njoftua se do caktohet një limit për çmimet e naftës dhe benzinës, pas shtrenjtimit enorm në kohët e fundit, shkruan Gazeta Metro.
Se ky limit po zbatohet, thanë nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës.
Në një prononcim për Metro, kryetari i kësaj shoqate Fadil Berjani, tha se vendimi po zbatohet, por që ka gabime në kalkulimin e çmimit të vendosur.
‘’Vendimi i qeverisë duhet të respektohet, dhe është duke u respektuar. Por vendimi ka gabime në kalkulim të çmimit. Shpresojmë se në ditët në vijim do përmirësohet’’, tha Berjani.
Në njoftimin e sotëm të publikuar nga kjo ministri çmimi maksimal për naftë do jetë 1 euro e 85 cent për litër, kurse çmimi maksimal për benzinë do jetë 1 euro e 74 cent për litër.
Çmimi maksimal i lejuar për gaz do jetë 0.78 cent për litër.
Këto çmime sipas Ministrisë vlejnë për datën 27 qershor, nga ora 10:00 dhe janë valide 24 orët e ardhshme./gazetametro.net